Angelina Jolie publikon letrën prekëse që pranoi nga një vajzë afgane

Aktorja me famë botërore, Angelina Jolie, së fundmi ka publikuar letrën që e mori nga një vajzë nga Afganistani.

Ajo tha se do të bëjë të pamundurën që të luftojë për të drejtat e njerëzve atje.

Në letrën e saj, vajza ka përshkruar vështirësitë e shkuarjes në shkollë për shkak të kontrolleve të talebanëve.

“Kjo është një letër që më është dërguar nga një vajzë adoleshente në Afganistan. Tani për tani, njerëzit e Afganistanit po humbasin aftësinë e tyre për të komunikuar në mediat sociale dhe për t’u shprehur lirshëm. Kështu që unë kam ardhur në Instagram për të ndarë historitë e tyre dhe zërat e atyre në të gjithë globin që po luftojnë për të drejtat e tyre themelore të njeriut”, tha Jolie.

Ajo tregoi se ishte në kufirin e Afganistanit dy javë para 11 shtatorit, ku takoi refugjatët afganë që kishin ikur nga talebanët, shkruan SkyNews, transmeton Klankosova.

“Ishte e dhimbshme të shikosh afganët të zhvendosen përsëri nga frika dhe pasiguria që ka kapluar vendin e tyre. Të shpenzosh kaq shumë kohë dhe para, të kesh derdhur gjak dhe jetë të humbura vetëm për të arritur në këtë, është një dështim pothuajse i pamundur për t’u kuptuar” shtoi ajo.

Tutje, në shkrimin e saj ajo tregoi se do të vazhdojë të gjejë mënyra për t’i ndihmuar njerëzit atje, si dhe bëri thirrje që t’i bashkohen edhe të tjerët.