Anulohet aktgjykimi i dënimit me burgim të përjetshëm ndaj N.P.

Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës së Apelit të Kosovës, pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, ka konstatuar se me aprovimin e ankesave të mbrojtësve të të akuzuarit N.P. dhe duke vepruar sipas detyrës zyrtare, duhet që të anulohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj, PKR.nr.9/20 i datës 7 korrik 2021, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Me aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Themelore në Ferizaj, i akuzuari N.P. është shpallur fajtor për shkak të veprave penale vrasje e rëndë nga neni 179, paragrafi 1, nën-paragrafët 4 dhe 12 të KPRK dhe dy veprave penale mbajtja në pronësi, kontrollë apo posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374, paragrafi 1 të KPRK, ndërsa për shkak të këtyre veprave penale, ndaj të akuzuarit në fjalë është shqiptuar dënimi me burgim të përjetshëm.

Aktgjykimi i plotë:

Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti për Krime të Rënda, në kolegjin e përbërë nga gjyqtarët: Afërdita Bytyçi, kryetare, Xhevdet Abazi dhe Tomislav Petroviç anëtarë, me pjesëmarrjen e bashkëpunëtorit profesional Sadik Kryeziu, procesmbajtës, në çështjen penale kundër të akuzuarit N.P. nga fsh. …, Komuna e Deçanit, për shkak të veprave penale vrasje e rëndë nga neni 179 par. 1 nën par. 4 dhe 12 të KPRK-së dhe dy veprave penale mbajtja në pronësi, kontrolle apo posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par. 1 të KPRK-së, duke vendosur sipas ankesave të mbrojtësve të akuzuarit, av. Gëzim Kollçaku, av. Ymer Beka dhe av. Ahmet Tahiri, të paraqitura kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore – DKR në Ferizaj, PKR.nr.9/20 datë 07.07.2021, në seancën e kolegjit të mbajtur konform dispozitës së nenit 390 par. 1 të KPPK-së, më datë 29.10.2021, mori këtë:

A K T V E N D I M

Me aprovimin e ankesës së përbashkët të mbrojtësve të akuzuarit N.P., por, edhe sipas detyrës zyrtare, aktgjykimi i Gjykatës Themelore – Departamenti për Krime të Rënda në Ferizaj, PKR.nr.9/20 datë 07.07.2021, anulohet dhe çështja i kthehet të njëjtës gjykatë në rigjykim dhe vendim.

Të akuzuarit N.P., i vazhdohet paraburgimi deri në marrjen e vendimit tjetër nga gjykata e shkallës së parë.

A r s y e t i m

Gjykata Themelore – DKR në Ferizaj, me aktgjykimin PKR.nr.9/20 datë 07.07.2021, e ka shpallur fajtor të akuzuarin N.P., për veprat penale vrasje e rëndë nga neni 179 par. 1 nën par. 4 dhe 12 të KPRK-së, dhe dy veprave penale mbajtja në pronësi, kontrolle apo posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par. 1 të KPRK-së, dhe e ka gjykuar me dënim me burgim të përjetshëm, në të cilin dënim i ka llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim prej datës 22.12.2015 e deri më datën 06.03.2018 dhe nga data 25.03.2019, e deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, dënim ky i cili do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh, nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Të akuzuarin N.P., e ka detyruar që t’i paguajë shpenzimet e procedurës penale sipas llogarisë përfundimtare të gjykatës, ndërsa, në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 300 €, si dhe shumën prej 50 €, në emër të Fondit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Të akuzuarit N.P., i ka shqiptuar edhe dënimin plotësues, ashtu që, të njëjtit i ka konfiskuar një pushkë gjuetie me nr. serik 0193117 si dhe 12 fishekë të kësaj pushke dhe një fishekë të kal.7.62 m.m, armë automatike dhe atë një AK-47 me numër serik 120331141 dhe dy karikator të zbrazët, si mjete me të cilat është kryer vepra penale.

Të dëmtuarit H.P., L. P. dhe SH. P., për realizimin e kërkesës pasuroro-juridike i ka udhëzuar në procedurë kontestimore.

Kundër këtij aktgjykimi në afat ligjor ankesë të përbashkët kanë paraqitur:

Mbrojtësit e të akuzuarit N.P., av. Gëzim Kollçaku, av. Ymer Beka dhe av. Ahmet Tahiri, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit për dënimin, me propozim që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet, ashtu që, i akuzuari të lirohet nga akuza ose të anulohet dhe çështja të kthehet në rivendosje.

Gjykata e Apelit, seancën e kolegjit e mbajti konform dispozitës së nenit 390 par. 1 të KPPK, për të cilën njoftoi Prokurorin e Apelit, të dëmtuarit, të akuzuarin dhe mbrojtësit e tyre. Në seancën e kolegjit ishin të pranishëm Prokurori i Apelit Arian Gashi, palët e dëmtuara H.P., L. P. dhe SH. P. si dhe i akuzuari N.P. dhe mbrojtësit e tij, av. Ymer Beka dhe av. Ahmet Tahiri, ndërsa, edhe pse të njoftuar në mënyrë të rregullt nuk prezantuan mbrojtësi i të akuzuarit av. Gëzim Kollçaku. Në seancën e kolegjit Prokurori i Apelit, pasi më parë bëri disa vërejtje përkitazi me pretendimet ankimore të mbrojtësve i propozoi gjykatës që ankesat në fjalë të refuzohen si të pabazuara, ndërsa, aktgjykimi ankimor të vërtetohet, ndërsa, mbrojtësit e të akuzuarit N.P., av.Ymer Beka dhe av. Ahmet Tahiri, pasi më parë sqaruan disa nga pretendimet ankimore ngelën në tërësi pranë pretendimeve si në ankesë, të cilët i përkrahu edhe i akuzuari N.P..

Prokuroria e Apelit, me parashtresën PPA/I.nr.375/21 datë 13.09.2021, ka propozuar që ankesa e përbashkët e mbrojtësve të akuzuarve të refuzohet si e pabazuar, ndërsa, aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.

Gjykata e Apelit, pasi shqyrtoi të gjitha shkresat e kësaj çështjeje penale-juridike, studioi aktgjykimin e ankimuar në pajtim me dispozitën e nenit 394 të KPPK-së, dhe pasi vlerësoi pretendimet e cekura në ankesë, gjeti se:

Ankesa është e bazuar, por, duke vepruar edhe sipas detyrës zyrtare aktgjykimi i ankimuar duhet anuluar, ngase, i njëjti përveç, që është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par. 1 nën par. 12 të KPPK-së, po ashtu, ka mbështetje edhe në prova të papranueshme.

Pretendimet ankimore përkitazi me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe gjetjet e kësaj gjykate.

Mbrojtësit e të akuzuarit N.P., Gëzim Kollçaku, av. Ymer Beka dhe av. Ahmet Tahiri, përkitazi me këtë bazë ankimore në ankesën e tyre të përbashkët pretendojnë se aktgjykimi i ankimuar është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par. 1 nën par. 12 dhe par. 2 nën par. 1 e lidhur me nenin 370 par. 4 dhe 7 dhe nenit 365 të KPPK-së, me arsyetim se gjykata e shkalles se parë, nuk ka përpiluar aktgjykimin në përputhshmëri me dispozitat e nenit 370 të KPPK-se, dhe atë duke marrë parasysh sidomos, faktin se gjykata nuk ka paraqitur në mënyrë të qartë provat me të cilat ka konsideruar se vërtetohet fajësia e të akuzuarit N.P., ashtu që e njëjta – pra, gjykata e shkallës së parë, fare nuk e ka marre parasysh as që e ka përmendur dhe arsyetuar se me cilat prova vërtetohet fajësia e te akuzuarit N.P..

Gjithashtu, gjykata në arsyetim ka paraqitur edhe prova materiale të cilat fare nuk janë administruar në seancën e shqyrtimit gjyqësor, e duke konstatuar kështu edhe pretendime e konstatime që shkojnë në dëm të akuzuarit edhe pse këto konstatime askush nga dëshmitarët nuk i ka deklaruar apo që konstatimet në fjalë të jenë vërtetuar me çfarëdo prove materiale, pastaj e njëjta, pra, gjykata e shkallës së parë, nuk ka dhënë arsye te bazuara për mos miratimin e propozimeve konkrete nga ana e mbrojtësve të akuzuarit N.P.. Kështu, në rastin konkret mbrojtësi i të pandehurit me datën 16.03.2021 ka kërkuar nga gjykata e shkallës së parë, duke u bazuar në dispozitat e nenit 150 par.10 te KPPRK-se, ta bëjë një vizitë në vendin e kryerjes se veprës penale, me qëllim që ky trup gjykues të merr njohuri të drejtpërdrejta për vendin ku është gjetur tani e ndjera D., duke përfshire rrugën malore nga fshati …, deri ne vendin e ngjarjes, pra, nga vendi deri ku mund të shkohet me automjet deri tek vendi i gjetjes së kufomës, e që largësia ne fjalë është 80 m. pra, e gjithë kjo me qëllim që gjykata ta ketë një pasqyrë me të saktë, se a ka pasur mundësi që i akuzuari N., i cili është invalid që ta dërgojë te ndjerën D. me xhip dhe e njëjta të mos veprojë asgjë dhe atë nga fshati …, e deri tek vendi i ngjarjes ku është gjetur kufoma e te ndjerës, ku, e njëjta ka mundur njëqind herë të dalë nga xhipi, ta detyrojë te pandehurin ta ndal xhipin, e po ashtu, nëse kemi parasysh se vendi deri ku mund të shkohet me automjet e deri tek vendi ku është gjetur kufoma është një distancë prej 80 m. dhe që duhet të kalohet edhe përmes shkurreve, pra, në shumë pengesa, krejt me qëllim që trupi gjykues të krijojë bindje se a ka pasur mundësi që i akuzuari i vetëm ta dërgojë tani të ndjerën tek vendi ku është gjetur kufoma, e që përkitazi me këtë vetë vëllai i të ndjerës ka deklaruar se i akuzuari N., nuk e ka kryer veprën penale, por, e din se kush e ka kryer vrasjen, por, nuk po dëshiron me treguar, ngase, i njëjti nuk ka pasur kurrfarë shanse që tani të ndjerën ta dërgojë tek vendi ku është gjetur kufoma. Mirëpo, sikur që tha edhe më lartë një kërkesë e tillë është refuzuar dhe atë me arsyetim se një rikonstruim i vendit të ngjarjes është bërë një herë nga Gjykata Themelore në Pejë, ku janë përshkruar vendet të cilat janë potencuar nga dëshmitaret dhe nga i akuzuari në procedurë paraprake në mbrojtjen e tij, gjë që, një konstatim i tillë nuk qëndron, ngase, nuk është e vërtetë se Gjykata Themelore ne Pejë, ka bërë rikonstruimin e vendit te ngjarjes dhe atë në vendin ku dyshohet se është kryer vepra penale dhe është gjetur trupi i pajetë i tani të ndjerës D. P., vend ky i quajtur “Kroni i Lajthis”, vend ky pra, për te cilin kanë kërkuar që ti behet një vizite, por, gjykata e shkallës së parë, gjithmonë e ka refuzuar, duke aluduar kështu në atë se këtë e ka bërë Gjykata Themelore e Pejës, por, pa dhënë arsyera tjera konkrete. Ndërsa, kur mendohet se Gjykata Themelore e Pejës, ka dalë në vendshiqim, atëherë, përkitazi me ketë behet fjale për shikimin qe i ka bere gjykata e shkalles se pare e Pejës, vendit nga shtëpia e tani te ndjerës D., deri tek shtëpia e N.J., ku dyshohet se tani e ndjera ka hyre ne xhipin e te akuzuarit, pra, është vizituar vendi i ngjarjes në fshat, mirëpo, jo vendi ku është gjetur kufoma e tani te ndjerës, e që ky vend gjendet ne një largësi prej 10 km, për çka, konsiderojë se duke pasur parasysh dhënien e një dënimi kapital me burgim, pra, burgim te përjetshëm, atëherë, është dashur, gjithashtu, që të bëhet shikimi i vendit ku është gjetur kufoma e tani të ndjerës D. P., dhe në këtë mënyrë t’i shtjerre te gjitha provat që janë të rëndësishme për vendosje në këtë çështje penalo-juridike, në mënyrë meritore. Po ashtu, gjykata e shkalles se parë, ka refuzuar kërkesën tjetër te mbrojtjes për ta ftuar ne cilësinë e dëshmitarit zyrtarin policor N.N., i cili e ka përpiluar raportin policor te datës 16.11.2015, ku thuhet se bashkë me zyrtaren tjetër te policisë R.D. kane kontaktuar me dëshmitaren T.A., e cila kishte postuar një mesazh, se e kishte pare tani te ndjerën D. P. duke hyrë ne autobus, dhe atë me autobus te kompanisë “K…”, duke bërë kështu edhe përshkrimin e shoferit por edhe te konduktorit, dëshmitare kjo që e ka ndryshuar deklaratën në prokurori, duke deklaruar se të njëjtën nuk e ka parë me datën 09.11.2015, ditën pra, kur është zhdukur tani e ndjera D. P., por me datën 06.11.2015, për çka, pastaj kanë kërkuar edhe nga prokuroria që të sigurohen edhe prova materiale se në cilën dite është bërë pagimi i këstit të kredisë, e më pastaj, për të ardhur në përfundim se dëshmitarja në fjalë a po e flet te vërtetën, përkitazi me datën kur e ka parë tani të ndjerën D. P.. Me tutje ne ankese pretendohet se gjykata e shkallës se parë, thirret edhe në prova që nuk janë proceduar ne seancën e shqyrtimit gjyqësor, ngase, jo te gjitha video incizimet janë shikuar në seancën e shqyrtimit gjyqësor sikur qe deklaron gjykata e shkallës se parë në arsyetim e sidomos ne pjesën ku ceket se – ky fakt u vërtetua edhe gjate shqyrtimit gjyqësor ku janë shikuar CD e inqizimeve te kamerave te kësaj shtëpie duke filluar prej orës 13:00 e deri ne ora 14:00, ngase video inqizimet janë shikuar vetëm nga ora 13:44 e 13 sekonda e deri ne ora 13:44 e 27 sekonda, pra, jo edhe për intervalin kohor, sikur që konstatohet në aktgjykimin e ankimuar. Pastaj nuk qëndron pretendimi i gjykatës se shkalles se pare se distanca nga rruga “Drumi” e deri te ky vend kalohet për 5 minuta, ngase një gjë e tille ka mundur te vërtetohet vetëm me ekspertize, por kurrsesi nga trupi gjykues i gjykatës se shkalles se pare. Poashtu është e rëndësishme te potencohet se gjykata e shkallës së parë, gabimisht konstaton se tani e ndjera ka vdekur me datën 09.11.2015, dite kjo kur e njëjta edhe është zhdukur, por, s’do te thotë që e njëjta te ketë vdekur me vonë e duke u bazuar kështu edhe ne deklaratën e ekspertit te mjekësisë ligjore se kjo ka mundur te ndodhë para 30 ditësh, para ditës, kur është gjetur kufoma, e qe i bie data 17.11.2015, e qe përputhet me deklaratat e dëshmitarëve, se te njëjtit kane pasur kontakt me telefonin e tani te ndjerës pas datës 9.11.2015, pra, ka pasur zile por jo edhe përgjigje nga tani e ndjera, pastaj janë edhe një numër tjetër i madh i provave materiale ku nga asnjëra prej tyre nuk vërtetohet se pikërisht ditën e zhdukjes së tani të ndjerës është kryer edhe vrasja e të njëjtës, prandaj, janë të gjitha këto fakte dhe rrethana që duhet të vërtetohen, e më pastaj, të mund të konstatohet se si ka ardhur tek vrasja e tani të ndjerës, mirëpo, deri më tani me asnjë provë në shkresa të lëndës nuk mund të vërtetohet se i akuzuari N.P., është personi që ka kryer vrasjen e tani të ndjerës, për çka, edhe propozon ndryshimin e aktgjykimit në fjalë dhe lirimin e të akuzuarit nga akuza e prokurorisë ose eventualisht aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe të kthehet në rivendosje.

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, pretendimet ankimore të cekura më lartë, janë të bazuara, por, duke vepruar sipas detyrës zyrtare aktgjykimi i ankimuar duhet anuluar, ngase, i njëjti përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të parapara me dispozitat e nenit 384 par. 1 nën par. 8 dhe 12 e lidhur me dispozitat e nenit 370 par. 7 të KPPK-së, ku përveç, që nuk janë dhënë arsyera për faktet vendimtare të mbështetura në prova dhe shkresa të lëndës, po ashtu, i njëjti-pra, aktgjykimi i ankimuar ka mbështetje edhe në prova të papranueshme si dhe në prova që nuk janë proceduar fare në seancën e shqyrtimit gjyqësor, për çka, me të drejtë pretendohet edhe në ankesën e përbashkët të mbrojtësve të akuzuarve dhe si rezultat i shkeljeve esenciale të cekura si më lartë, edhe gjendja faktike në këtë çështje penale – juridike, rezulton të mos jetë vërtetuar plotësisht dhe në mënyrë të drejtë, për çka, rezulton se aktgjykimi i ankimuar tani për tani edhe është juridikisht i paqëndrueshëm dhe domosdoshmërisht i njëjti duhet anuluar.

Në rastin konkret edhe pse kjo çështje penalo-juridike është anuluar dhe është kthyer në rivendosje nga Gjykata Supreme, e me sugjerime se çka duhet të ndërmerret, e më pastaj, të vendoset sërish, kuptohet pas procedimit të serishëm të provave në seancën për shqyrtimin gjyqësor, e ku janë dhënë vërejtje edhe përkitazi me formën kualifikuese të veprës penale, gjykata e shkallës së parë, sërish, në dispozitivin e aktgjykimit të ankimuar ka bërë lëshime të njëjta, ashtu që, sërish dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar nuk është përpiluar konform dispozitave të nenit 370 par. 7 e lidhur me nenin 365 të KPPRK-së, ngase, në dispozitivin e aktgjykimit të ankimuar për veprën penale për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor, ku paraqitet figura e veprës penale, përveç, veprimeve inkriminuese të veprës penale të vrasjes së rëndë nga neni 179 par. 1 nën par. 12 të KPRK-së, nuk janë përfshirë edhe veprime tjera inkriminuese të cilat paraqesin elementet kualifikuese të veprës penale vrasje e rëndë nga neni 179 par. 1 nën par. 4 të KPRK-së, pra, edhe të formës kualifikuese, e për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor që do të thotë se dispozitivi nuk është përpiluar konform dispozitave të nenit 365 të KPPRK-së. Prandaj, kur jemi tek dispozitivi edhe emërtimi ligjor i veprës penale nuk përkon me përmbajtjen e figurës së veprës penale, ngase, përveç, përfshirjes së veprimeve inkriminuese të cilat përbëjnë figurën e veprës penale të vrasjes, kur është fjala për formën kualifikuese, pra, sipas paragrafit 1 nën paragrafit 4 të KPRK-së, që përfshinë edhe dinakërinë, përveç, fjalë së cekur “me dinakëri”, në dispozitiv, pra, në përshkrimin e figurës së veprës penale nuk cekët asnjë veprim i vetëm inkriminues, konkret që ka të bëjë me dinakëri, mirëpo, përkundër kësaj tek emërtimi ligjor i veprës penale është cekur se i akuzuari ka kryer veprën penale vrasje e rëndë nga neni 179 par. 1 nën par. 4 e 12 të KPRK-së, që nënkupton se i akuzuari veprën penale në fjalë e ka kryer edhe në mënyrë dinake, mirëpo, sikur që u tha, përkitazi me dinakërinë nuk është cekur asnjë veprim i vetëm inkriminues konkret që mund të ndërlidhet me dinakërinë, sikur që ka konstatuar gjykata e shkallës së parë. Pastaj, kur jemi tek forma kualifikuese e veprës penale në fjalë, pra, për kryerjen e veprës penale në mënyrë dinake edhe në arsyetim, gjykata e shkallës së parë, nuk ka arritur të jap arsyera për një gjë të tillë, ndërsa, ato pak arsyera që i cekë në arsyetim janë kryesisht supozime, e pa mbështetjen e provave dhe shkresave tjera të lëndës, ngase, për të ekzistuar vepra penale në fjalë në trajtën kualifikuese sipas nën paragrafit 4, paragrafi 1 të nenit 179 të KPRK-së, duhet që të ekzistojnë veprime inkriminuese konkrete që janë vërtetuar në bazë të provave, e më pastaj, të konstatohet se i akuzuari ka vepruar në mënyrë dinake, gjë që, në rastin konkret përveç, që nuk janë cekur fare në dispozitiv veprimet konkrete inkriminuese që përbëjnë elementet e dinakërisë, as nga arsyetimi nuk rezulton se me ndonjë provë në shkresa të lëndës të rezultojnë të vërtetuara faktet dhe rrethanat që do të mund të përbënin elementet e veprës penale të vrasjes së rëndë të kryer në mënyrë dinake, për çka, dispozitivi si i tillë pa dyshim që nuk mund të qëndrojë, ngase, rezulton të jetë i pa qartë, kundërthënës dhe juridikisht i pa qëndrueshëm.

Prandaj, përveç, që dispozitivi është në kundërshtim me vetë-veten, i njëjti – pra, dispozitivi është në kundërshtim edhe me arsyetimi, ngase, gjykata e shkallës së parë, as në arsyetim, përveç, që nuk ka arritur që të jap arsyera të mjaftueshme e të argumentuara se vepra penale në fjalë është kryer në mënyrë dinake, po ashtu, edhe sa i përket veprës penale të vrasjes, gjegjësisht, aktit të vrasjes, kur është fjala për faktet vendimtare në këtë çështje penalo-juridike, gjykata e shkallës së parë, nuk ka arritur që të jap arsyera të mjaftueshme e të bazuara në prova dhe shkresa të lëndës, por, më shumë është marrë me përshkrimin e deklaratave të dëshmitarëve dhe atë duke filluar me përshkrimin e ngjarjes së ditës kritike, pra, kur edhe është zhdukur tani e ndjera D. P. dhe atë prej momentit kur tani e ndjera kalon pranë vendit ku po bëhej përgatitja e ceremonisë së varrimit dhe vazhdon nëpërmes të rrugës së fshatit, të quajtur “Drum”, e më pas faktin se pas tani të ndjerës me automjetin e tij është nisur për në rrugën e njëjtë edhe i akuzuari N.P., fakte këto dhe rrethana që i vërtetojnë të gjithë dëshmitarët, por, që nuk rezultojnë të kontestuara as nga deklaratat e marra nga i akuzuari si në polici edhe në prokurori, mirëpo, kur arrihet tek shtëpia e N.J., e cila ishte pajisur edhe me kamera tani e ndjera nuk shihet më duke kaluar në këmbë në rrugën në fjalë, por, shihet automjeti i të akuzuarit N.P. dhe tani gjykata e shkallës së parë, duke tentuar të jap vlerësimin e saj, se a e mori i akuzuari N.P., tani të ndjerën D. P., në automjetin e tij dhe vazhdoi në rrugën në fjalë apo tani e ndjera vazhdoi rrugën e saj në drejtim tjetër, shërbehet me video incizimet e marra nga CD-et e kamerave të shtëpisë në fjalë, por, edhe të shtëpisë tjetër, pra, pak më larg të shtëpisë së G.A., por, që përveç, shikimit të video incizimeve nga CD-et e marra nga kamerat në fjalë, merr parasysh edhe mendimin e trupit gjykues të mëparshëm, që ishte në vendin e ngjarjes, pra, faqen 25, pasusi i fundit, ku konstatohet “trupi gjykues me rastin e daljes në vendshiqim, në fsh. …, ka konstatuar pozitën e lagjes J., vendi i quajtur “Drum”, Rruga për në Varrezat e fshatit nëpër lagjen Kamaj, vendi ku është shtëpia e N.J. e G.A., është matur koha për sa kalohet prej vendit Drum deri te vendi afër shtëpisë së N.J.t, ku në kamerat e kësaj shtëpie është parë vetura e ndaluar e të akuzuarit”, pra, duke aprovuar kështu vlerësimin e trupit të mëparshëm gjykues të dhënë në arsyetimin e aktgjykimit të mëparshëm, por jo në ndonjë procesverbal të përpiluar me shkrim, përkitazi me faktet dhe rrethanat në fjalë, ku konstatohet se distanca nga vendi i i quajtur “Drum”, tek shtëpia e N.J.t, është në atë distancë që përputhet me mundësinë që i akuzuari ta ketë marr me automjet tani të ndjerën D. P. dhe atë pikërisht tek shtëpia e N.J.t, që do të thotë se tani gjykata e shkallës së parë, përveç, që vlerësimin e saj e bazon në konstatimin e trupit të mëparshëm gjyqësor, po ashtu, e njëjta e merr edhe rolin e ekspertit, ngase, përkitazi me mundësinë në fjalë, është dashur që distanca e rrugës të vërtetohet përmes ekspertizës profesionale, gjegjësisht, shërbimit gjeodet të komunës, por, jo që vetë trupi gjykues ta matë distancën në fjalë dhe duke u bazuar në kohën e shënuar sipas kamerave të shtëpisë në fjalë, të vijë në përfundim se përputhet me kohën kur tani e ndjera ka mundur të arrijë tek shtëpia në fjalë dhe i akuzuari pastaj, ta marr tani të ndjerën me automjetin e tij, pra, ka sjellë përfundim, pa e bërë këtë përmes ekspertizës përkatëse profesionale, pra, duke e bërë matjen e distancës në fjalë vetë trupi gjykues, e që tani në rigjykim gjykata e shkallës së parë, përveç, që një pretendim i tillë nuk ka mbështetje në ndonjë provë konkrete materiale, po ashtu, pa e verifikuar fare një gjë të tillë, në mënyrë profesionale-pra, me ekspertizë, por, mjaftohet me konstatimin e trupit gjykues të Gjykatës Themelore të Pejës, i cili, pra, trupi gjykues ka vendosur me aktgjykimin e mëparshëm, i cili aktgjykim edhe është anuluar me aktvendimin e Gjykatës Supreme dhe është kthyer në rivendosje. Po ashtu, kur jemi tek momenti në fjalë edhe përkitazi me identifikimin e automjetit të akuzuarit, gjykata e shkallës së parë, të njëjtën gjë e bënë, pra, pa angazhimin e ekspertit të lamisë përkatëse, por, vetëm duke shikuar video incizimet në CD-et e marra nga kamerat e shtëpisë së N.J.t dhe G.A., gjykata e shkallës së parë, konstaton se automjeti që kalon pranë shtëpisë së N.J.t, e që shihet në kamerat e shtëpisë në fjalë, është automjeti i njëjtë që shihet edhe në kamerat e shtëpisë së G.A., gjë që, e ka konstatuar edhe polici hetues, pra, në faqen 25, pasusi 4, ku konstatohet se “nga video incizimet e marra nga kamerat e shtëpisë së G.A.t, shihet se në ora 14:14: 52 sekonda kalon vetura Jeep Siroka, që është konstatuar nga ana e policit hetues, se kjo veturë i ka karakteristikat e njëjta me veturën që është parë duke kaluar pranë shtëpisë së N.J.t”, gjë që, tani për tani, një konstatim i tillë nuk mund të aprovohet, kur, përveç, që këtë e bënë vetë gjykata, pra, pa marrë mendimin profesional për një gjë të tillë, njëkohësisht, e aprovon mendimin e zyrtarit policor, që ka bërë hetime përkitazi me rastin në fjalë, ngase, për të vërtetuar faktet dhe rrethanat në fjalë, pra, se a bëhet fjalë për automjetin e të akuzuarit, pra, automjetin që xhirohet nga kamerat e shtëpisë së N.J.t, e që është automjeti i të akuzuarit, se a është edhe në rastin e dytë kur automjeti i tipit të njëjtë xhirohet nga kamerat e shtëpisë së G.A., e që përkitazi me këtë në bazë të video incizimeve gjykata është deklaruar se është fjala për automjetin e njëjtë, është dashur që për këtë të deklarohet eksperti i lamisë përkatëse, gjegjësisht, i komunikacionit, i cili në bazë të karakteristikave individuale të automjeteve në fjalë, të konstatojë se a bëhet fjalë për automjetin e njëjtë, edhe në rastin e parë edhe në rastin e dytë, apo është fjala për dy automjete të ndryshme, sikur që pretendon mbrojtja, pra, përmes ekspertizës profesionale të vërtetohen faktet dhe rrethanat në fjalë e më pastaj, konstatimi i ekspertizës, pra, ekspertizës së lamisë përkatëse, të krahasohet edhe me deklaratën e dëshmitarëve, e sidomos, të dëshmitarit A.M., ku edhe do të vërtetohej se a ishte pikërisht i akuzuari me automjetin e tij, kur e mori tani të ndjerën D. P., në automjetin e tij. Po ashtu, po përkitazi me faktet dhe rrethanat në fjalë, arsyetimi i aktgjykimit të ankimuar mjaftohet me konstatimin e dëshmitarit A.M., i cili tregon se çka i ka thënë dëshmitari Q. J., mirëpo, nga përmbajtja e deklaratës së dëshmitarit Q. J., të dhënë në seancën e shqyrtimit gjyqësor, rezulton se i njëjti i mohon në mënyrë kategorike faktet dhe rrethanat që i pohon dëshmitari A.M., që do të thotë se për të vërtetuar faktet dhe rrethanat në fjalë ishte dashur që së paku të merret në pyetje edhe babai i dëshmitarit Q. J., për të vërtetuar faktet dhe rrethanat se cila ishin arsyerat që dëshmitari Q. J., ka refuzuar të dëshmojë, gjegjësisht, se a ishte i njëjti i kërcënuar apo i shantazhuar, sikur që deklaron dëshmitari A.M., e duke pasur parasysh këtu sidomos, faktin se dëshmitari Q. J., ishte edhe i mitur në kohën e ngjarjes, e më pastaj, për vërtetimin e fakteve dhe rrethanave në fjalë, të aprovojë konkludimet përkitazi me besimin e deklaratave në fjalë, pra, se a duhet t’i besohet dëshmitarit A.M. apo dëshmitarit Q. J., ngase, tani për tani, sikur që u tha më lartë, kemi dy deklarata diametrialisht të kundërta njëra me tjetrën, prandaj, edhe nuk mund të aprovohet apriori vlerësimi i gjykatës së shkallës së parë, sikur që ka konstatuar gjykata e shkallës së parë, përkitazi me deklaratën e dëshmitarit A.M., deklaratë kjo në të cilën edhe e mbështet arsyetimin e saj përkitazi me faktet dhe rrethanat vendimtare në këtë çështje penalo-juridike. Prandaj, edhe mund të konstatohet se arsyet e dhëna për faktet vendimtare në këtë çështje penalo-juridike, janë konfuze, të pa qarta dhe juridikisht të paqëndrueshme, ngase, përveç, të kontradiktave për faktet dhe rrethanat në fjalë, për të ardhur tek konkludimi i saktë se a bëhet fjalë pikërisht për automjetin e të akuzuarit edhe me rastin e parë, edhe me rastin e dytë dhe se, pikërisht, i akuzuari e mori tani të ndjerën me automjetin e tij, atëherë, ishe dashur që për faktet dhe rrethanat në fjalë, pra, që kanë të bëjnë me automjetin e të akuzuarit, pra, mundësinë që tani e ndjera të mos ketë kaluar rrugën në fjalë, pra, pa arritur i akuzuari me automjetin e tij, të vërtetohet edhe përmes ekspertizës profesionale, pra, edhe me ndihmën e shërbimit gjeodet të komunës të bëhet matja e distancës në fjalë, në mënyrë të saktë dhe të konstatohet se për sa kohë ka mundur tani e ndjera ta kalojë distancën në fjalë, pra, deri tek shtëpia e N.J.t, ku supozohet se ka kaluar me automjetin e tij i akuzuari. Pastaj, po ashtu, kur është fjala për faktet dhe rrethanat vendimtare në këtë çështje penalo-juridike është e rëndësishme të merret parasysh edhe deklarata e dëshmitares T.A., e cila ka deklaruar se e ka parë tani të ndjerën D. P., duke hipur në autobus për të vazhduar rrugën për në Pejë, mirëpo, më pastaj, e njëjta e ka ndryshuar deklaratën në prokurori, duke thënë se kjo nuk ka ndodhur ditën kritike ku është zhdukur tani e ndjera, por dy ditë më herët kur edhe ka qenë për ta paguar këstin e kredisë, fakte këto dhe rrethana që i ka deklaruar edhe dëshmitari-zyrtari policor N.N., në shënimin e tij zyrtar, mirëpo, gjykata e shkallës së parë, nuk është marr më tutje në deklaratën në fjalë, duke konsideruar të mjaftueshme shënimin zyrtar që e ka bërë zyrtari policor N.N., e duke konstatuar se kjo ka ndodhur dy ditë më herët, sikur që ka deklaruar edhe dëshmitarja, sikur që është konstatuar në faqen 37 par. 2 rreshti 12-të të arsyetimit, ku thuhet “sepse atë ditë kishte shkuar në Deçan, për të paguar këstin e kredisë në bankën “KEP”, e që u vërtetua edhe nga marrëveshja për kredinë dhe kësti për orarin e kthimit të kredisë të datës 06.11.2015 dhe në numrin rendor 22, andaj, nga këto që u cekën trupi gjykues konstatoi se u eliminua edhe rrethana se D. më 09.11.2015, ishte parë në rrugën Deçan-Pejë, duke hipur në autobus”, mirëpo, pa e vërtetuar ditën e saktë kur ka ndodhur kjo, përmes edhe provave materiale, sidomos, kur dihet rëndësia e një deklarate të tillë, në kontekst me këtë për frikën dhe shqetësimin që paraqitet tek shumica e dëshmitarëve në këtë çështje penalo-juridike, prandaj, vërtetimi i fakteve dhe rrethanave në fjalë, mund të bëhej edhe përmes dëgjimit të dëshmitarit-zyrtarit policor N.N., por, edhe me provat materiale si sigurimin e informatës zyrtare nga Institucioni ku është bërë pagesa e këstit të kredisë, e jo sikur që në rastin konkret që është siguruar vetëm raporti i orarit të pagesës së kredisë, ngase, dëshmitarja T.A., ndër të tjerat ka deklaruar se e ka parë tani të ndjerën D. P. ditën kritike, mirëpo, kjo ka qenë dy ditë më herët e jo më datën 09.11.2015, kur edhe është zhdukur tani e ndjera, prandaj, për të vërtetuar faktet dhe rrethanat në fjalë ishte dashur që të sigurohet edhe prova materiale, e krejt kjo me qëllim të vërtetimit të arsyerave se përse tani dëshmitarja T.A., e ka ndryshuar deklaratën e saj, për çka, po ashtu, ishte dashur që të dëgjohet edhe dëshmitari N.N., për të sqaruar, se cilat ishin arsyerat konkrete të dëshmitares që e ka ndryshuar deklaratën, ku e njëjta, në deklaratën para prokurorisë ka përshkruar edhe pamjen e të ndjerës, duke konstatuar se tani e ndjera kishte bërë edhe ndryshime në frizurë dhe atë me ngjyrë krejt tjetër, që do të thotë se dëshmitarja në fjalë, ka vërejtur ndryshime substanciale në pamjen e të ndjerës, e pasi që dëshmitari në fjalë tani është e pa arritshme për të dëgjuar, atëherë, është e domosdoshme që për faktet dhe rrethanat në fjalë të dëgjohet dëshmitari N.N., por, njëkohësisht të sigurohet edhe prova materiale përkitazi me datën e realizimit të pagesës nga dëshmitarja në fjalë.

Përveç, shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, që u cekën më lartë, gjykata e shkallës së parë, ka bërë edhe shkelje tjera esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe atë kur gjykata e shkallës së parë, aktgjykimin e saj e mbështet edhe në prova që nuk janë proceduar fare në seancën e shqyrtimit gjyqësor, gjë që, parashihet shprehimisht sipas dispozitave të nenit 361 të KPPK-së, ku thuhet se aktgjykimi mbështet vetëm në prova të proceduara në seancën e shqyrtimit gjyqësor, mirëpo, sikur që rezulton nga përmbajtja e procesverbalit të seancën e shqyrtimit gjyqësor, i akuzuari N.P. ka deklaruar se do të mbrohet në heshtje, ku, gjykata e shkallës së parë, e ka respektuar një gjë të tillë, e pastaj, pra, gjithherë sipas përmbajtjes së procesverbalit të shqyrtimit kryesor, ka vazhduar në fjalën përfundimtare të palëve, mirëpo, në arsyetimin e aktgjykimit të ankimuar gjatë dhënies së arsyerave për faktet vendimtare gjithherë, thirret edhe në deklaratat e të akuzuarit dhe a të duke potencuar në deklaratat e dhëna në polici dhe prokurori, mirëpo, sikur që u tha më lartë, deklaratat në fjalë, nuk janë lexuar dhe as prezantuar fare në seancën e shqyrtimit gjyqësor, e që të dihet përmbajtja e tyre, që do të thotë se arsyetimi mbështetet në prova që nuk janë proceduar fare në seancën e shqyrtimit gjyqësor, prandaj, edhe me këtë gjykata ka bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 361 par. 1 e lidhur me nenin 384 par. 1 nën par. 12 të KPPK-së. Pastaj, kur jemi tek deklaratat në fjalë, po ashtu, nuk rezulton të jetë e qartë se në cilat deklarata, gjykata e shkallës së parë, e mbështet arsyetimin e saj, kur gjatë dhënies së arsyerave për faktet vendimtare vetëm thirret në deklaratat në fjalë, por, pa cekur datën e deklaratës, por, vetëm theksohet në deklaratat e dhëna në polici dhe prokurori, që do të thotë se edhe këtu gjykata e shkallës së parë, gjatë dhënies së arsyerave për faktet vendimtare arsyetimin e saj e mbështet edhe në deklaratat e të akuzuarit të dhënë në cilësinë e dëshmitarit, gjë që, paraqet shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase, arsyetimi mbështetet edhe në prova të papranueshme, ngase, sikur që rezulton nga shkresat në lëndë, i akuzuari ka dhënë tri deklarata gjatë procedurë hetimore, dy në polici e një në prokurori, ku në polici deklaratën e parë e ka dhënë në cilësinë e dëshmitarit, pra, më datën 22.12.2015, ndërsa, të dytën, sërish në polici më datën 23.12.2015, në cilësinë e të pandehurit dhe në prokurori, më datën 02.06.2017, në cilësinë e të pandehurit, prandaj, tani nuk mund të rezultojë të jetë e qartë se në cilën deklaratë e ka mbështetë arsyetimin e saj, sidomos, kur është fjala për faktet dhe rrethanat vendimtare në këtë çështje penalo-juridike. Po ashtu, me aktgjykimin e ankimuar është bërë shkelje e njëjtë esenciale e dispozitave të procedurës penale, kur, arsyetimin e saj përkitazi me faktet vendimtare e mbështet edhe në konkludimet e trupit të mëparshëm gjykues, i cili ka konstatuar se gjatë daljes në vend ka bërë shikimin e vendit të ngjarjes dhe ka konstatuar se distanca nga rruga e quajtur “Drum”, e deri tek shtëpia ku janë marr video incizimet nga kamerat e shtëpisë, është konstatuar se e njëjta mund të kalohet me këmbë për 5 minuta, e që, konstatimin në fjalë e ka bërë vetë trupi gjykues i mëparshëm në bazë të shikimit të vendit të ngjarjes, mirëpo, jo që ka bërë farë procesverbali dhe që tani të mund të procedohet edhe si provë materiale, gjë që, do të thotë se tani, përveç, që arsyetimi i aktgjykimit të ankimuar mbështetet me një provë që nuk është proceduar fare në seancën e shqyrtimit gjyqësor, e po ashtu, tani shkelje tjetër esenciale e dispozitave të procedurës penale bëhet kur gjykata e merr edhe rolin edhe të ekspertit, ngase, për vërtetimin e distancës në fjalë, në rastin konkret duhet të kërkohet ndihmë profesionale dhe këtë distancë ta vërtetojë përmes ekspertizës përkatëse profesionale e jo një gjë të tillë ta bëjë vetë gjykata, për çka, edh enë këtë drejtim rezulton se arsyetimi i aktgjykimit të ankimuar mbështet edhe në provat që nuk janë proceduara në seancën e shqyrtimit gjyqësor, për çka, edhe arsyerat për faktet vendimtare rezultojnë të jenë të pa qarta, konfuze dhe juridikisht të paqëndrueshme.

Po ashtu, aktgjykimi i ankimuar ka mbështetje edhe në prova të papranueshme, ngase, i njëjti mbështetet edhe në deklaratën e të akuzuarit të dhënë në fazën e hetimeve në cilësinë e dëshmitarit, deklaratë kjo e dhënë në polici më datën 22.12.2015, pastaj, në raportin e ballafaqimit të tani të akuzuarit me dëshmitaren A. P., ballafaqim ky i bërë në mes të dëshmitares A. P. dhe dëshmitarit N.P., që do të thotë se duke pasur parasysh se në ndërkohë për të akuzuarin N.P., kanë filluar hetimet e më pas edhe është ngritur aktakuza, atëherë, aktgjykimi i ankimuar nuk mund të mbështetet në deklaratën e të akuzuarit të dhënë në cilësi të dëshmitarit, sikur që ka vepruar gjykata e shkallës së parë, kur në faqen 33 pasusi 1, rreshti 11-të, konstaton “po ashtu, kjo pjesë e deklaratës së dëshmitares (A. P.) është në harmoni edhe me ballafaqimin që prokurori e kishte bërë në mes dëshmitares A. P. dhe të akuzuarit N.P., i cili (pra, i akuzuari N.P.) e kishte cilësinë e dëshmitarit, pra, më datën 22.12.2015, ku i akuzuari kishte deklaruar se vajzës A. nuk po i kujtohet rrethana mirë se atë ditë ishim në Zyrën e Gjendjes Civile…”, që do të thotë se aktgjykimi mbështetet edhe në prova të papranueshme, ngase, deklarata e të akuzuarit e dhënë më parë, në cilësi të dëshmitarit nuk mund të merret si provë në këtë çështje penale, sikurse që ka konstatuar gjykata e shkallës së parë, e po ashtu, nuk mund të mbështetet as në raportin e policisë, të datës 22.02.2015, ku konstatohet se është bërë ballafaqimi i dëshmitares A. P. me tani të akuzuarin, gjegjësisht, atëherë, dëshmitarin N.P., që do të thotë se edhe raporti në fjalë, pra, i ballafaqimit është provë e papranueshme, prandaj, edhe arsyetimi i aktgjykimit të ankimuar nuk mund të mbështetet në një provë të tillë, sikur që ka konstatuar gjykata e shkallës së parë.

Po ashtu, qëndrojnë pretendimet ankimore në ankesën e përbashkët të mbrojtësve të akuzuarve që gjykata e shkallës së parë, ka bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, kur ka refuzuar propozimet e palëve, gjegjësisht, propozimin e mbrojtësit të akuzuarit për shikimin e vendit të ngjarjes, ku është gjetur kufoma e tani të ndjerës, pastaj, të dëgjohet edhe dëshmitari N.N. si dhe të sigurohet prova materiale nga institucioni ku është bërë pagesa e këstit të kredisë nga dëshmitarja T.A., krejt kjo, me qëllim të vërtetimit të fakteve vendimtare në këtë çështje penalo-juridike, ngase, kur është fjala për vendin ku është gjetur kufoma e tani të ndjerës është e rëndësishme të vërtetohen faktet dhe rrethanat në mënyrën se si është dërguar tani e ndjera tek vendi ku i është gjetur kufoma, sidomos, në pjesën e rrugës, ku pretendohet se nuk ka mundur të kalohet me automjet, ndërsa, dëgjimi i dëshmitarit N.N., por, edhe sigurimi i provë materiale për ditën e realizimit të pagesës nga dëshmitarja T.A., është e rëndësishme të vërtetohen faktet dhe rrethanat në fjalë, sikur që deklaron dëshmitarja në fjalë, me të dëgjuar për zhdukjen e tani të ndjerës, ka deklaruar se të njëjtën e ka parë duke shkuar me autobus për në Pejë, dhe atë duke përshkruar autobusin, shoferin dhe konduktorin, por, edhe kompaninë e autobusit, pra, është fjala për autobusin e kompanisë “K…”, e pastaj, më vonë ka deklaruar se kjo nuk ka ndodhur ditën kritike por dy ditë më parë, e që të njëjtat, pastaj, të ndërlidhen edhe me faktin se telefoni i tani të ndjerës D. P., ka qenë funksional edhe pas momentit kur pretendohet se e njëjta është marr me automjet nga i akuzuari, krejt kjo për vërtetimin e fakteve dhe rrethanave se a ishte pikërisht i akuzuari personi i fundit që ka pasur kontakt të drejtë për drejtë me tani të ndjerën, prandaj, tani për tani nuk mund të aprovohet vlerësimi i gjykatës së shkallës së parë, se nuk është e nevojshme sigurimi i provave në fjalë, për çka, kjo gjykatë vlerëson se edhe në këtë drejtim nuk qëndrojnë arsyerat e dhëna në aktgjykimin e ankimuar përkitazi me refuzimin e propozimeve në fjalë.

Prandaj, duke pasur parasysh shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale të cekura si më lartë, atëherë, rezulton se arsyerat për faktet vendimtare në aktgjykimin e ankimuar janë pa mbështetje në prova dhe shkresa tjera të lëndës, gjegjësisht, ato që janë dhënë janë në kundërthënie të plotë me provat dhe shkresat tjera në lëndë, e disa nga ato kanë mbështetje edhe në prova të papranueshme, e që paraqesin shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par. 1 nën par. 8 dhe 12 të KPPK-së, e që ndikuan domosdoshmërisht në anulimin e aktgjykimit të ankimuar.

Duke pasur parasysh të cekurat si më lartë, qëndrojnë pretendimet ankimore edhe në kuptim të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe të shkeljes së ligjit penal në dëm të akuzuarit, ngase, pa eliminimin e shkeljeve në fjalë nuk mund të flitet as për vërtetimin e plotë të gjendjes faktike e as aplikimit të drejtë të ligjit penal, për çka edhe kjo gjykatë vendosi që çështja në fjalë të anulohet dhe të kthehet në rigjykim dhe vendim.

Në rigjykim gjykata e shkallës së parë, duhet të veprojë në pajtim me vërejtjet e lartë cekura, t’i eliminojë kundërthëniet e cekura, së pari në dispozitiv të aktgjykimit, duke përfshirë edhe veprimet inkriminuese konkrete që përbëjnë elementet e veprës penale të vrasjes në trajtën e kualifikuar e jo vetëm të cekët emërtimi ligjor i veprës penale të vrasjes së rëndë, pastaj, t’i procedojë edhe njëherë të gjitha provat për zbardhjen e drejtë dhe të plotë të fakteve, duke bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, gjegjësisht, vendit ku është gjetur kufoma e tani të ndjerës D. P., në prezencën edhe të ekspertëve të mjekësisë ligjore dhe atë për vërtetimin e fakteve dhe rrethanave se si është dërguar tani e ndjera tek vendi i ngjarjes, duke marr parasysh sidomos, faktin se a ka pasur mundësi që me automjet të dërgohet deri tek vendi i ngjarjes, apo kjo është bërë në këmbë, pastaj, të bëhet matja e distancës nga vendi – rruga “Drum,” e deri tek shtëpia e N.J.t, përmes shërbimit gjeodet, pastaj, gjatë shikimit të video incizimeve nga shtëpia e N.J.t dhe tek shtëpia e G.A.t, të prezantoi edhe eksperti i komunikacionit me qëllim të vërtetimit të fakteve dhe rrethanave se a bëhet fjalë për automjetin e njëjtë në të dy rastet apo automjeteve të ndryshme, të dëgjohet dëshmitari N.N., përkitazi me arsyerat e dëshmitares T.A., e cila e ka ndryshuar deklaratën përkitazi me datën kur e ka parë tani të ndjerën D. P., të sigurohet prova materiale përkitazi me datën e realizimit të pagesës së këstit të kredisë nga dëshmitarja T.A., si dhe mundësisht të sigurohet identiteti i dëshmitares nga Gjermania, që ka dërguar SMS-in me fotot në stacionin policor të Deçanit, dhe pas procedimit të provave duhet që të njëjtat t’i vlerësojë në pajtim me dispozitën e nenit 361 të KPPK-së, dhe varësisht nga rezultati i vlerësimit të provave duhet të nxirren konkluzionet të drejta dhe të ligjshme e që kanë mbështetje në prova të proceduara, e pastaj, të merret vendimi përkatës, i ligjshëm, duke i pasur parasysh edhe pretendimet tjera të cekura në ankesën e përbashkët të mbrojtësve të akuzuarve.

Për të akuzuarin N. P., duke pasur parasysh se edhe më tutje qëndrojnë bazat ligjore për paraburgim konform dispozitave të nenit 187 të KPPK-së, Gjykata e Apelit, bazuar në dispozitat e nenit 402 par. 4 të KPPK-së, ka vazhduar paraburgimin.

Nga çka u tha më lartë, e konform dispozitës së nenit 402 të KPPK-së, u vendos si në dispozitiv të këtij aktvendimi.

GJYKATA E APELIT E KOSOVËS
PAKR.nr.366/2021, më 29.10.2021