Apeli i institucioneve të shëndetësisë: Mbani maskat, respektoni distancën!
Që kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, janë evidentuar raste të reja me COVID-19, duke rrezikuar shpërthimin e vatrave të reja epidemike në disa komuna të Kosovës, shkaku i mos respektimit të masave.
Nuk duhet harruar asnjëherë se virusi SARS-COV-2 është ende mes nesh dhe mund të prek persona të tjerë.
Bazuar në këtë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë rekomandojnë që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të deritashme e në veçanti zbatimi i planit për masat lehtësuese që nënkupton vazhdimin e zbatimit të mëtutjeshëm të rekomandimeve.
“Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimi i maskave, dezinfektimi dhe ajrosja e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.
Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin per Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe të merren masa përgjegjësie në rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.
Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve.
Nuk ka të drejtë askush të rrezikoj jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve.
Çdo hap përpara që bëjmë, bartë edhe rrezikun me vete derisa virusi është ende në mesin tonë.
Vazhdoni të mbani distancën fizike dhe mbajtjen e maskave! Lani duart me kujdes disa herë në ditë nga 20-30 sekonda”, thuhet në apelin e IKSHP.
Lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të institutit kombëtar të shëndetësisë publike dhe ministrisë së shëndetësisë, thuhet nga IKSHP. /mediafokus.info

