Apeli i vërteton dënimin me 12 vite burgim të akuzuarit për krime lufte, Zoran Gjokiq

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila Zoran Gjokiqin e ka dënuar me 12 vite burgim për krime lufte.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për media, ku thuhet se Departamenti Special i Gjykatës së Apelit ka konstatuar se duhet të refuzohen si të pabazuara ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit.

‘Me aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i akuzuari Z.D. është shpallur fajtor se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale Krime të Luftës Kundër Popullatës Civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, lidhur me nenin 3 të përbashkët për Konventat e Gjenevës të datës 12.08.1949 dhe nenin 4 të Protokollit 2 të datës 08.06.1977 shtojcë e Konventave të Gjenevës, duke e dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 12 (dymbëdhjetë) vjetëve, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim’, thuhet në aktgjykim.