Apeli ia ul dënimin ish-ministrit të Shëndetësisë, i akuzuar për sulm seksual
Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë, duke ia ulur dënimin me burgim nga dy vite në një vit burgim ish-ministrit të shëndetësisë, Numan Baliq, të akuzuar për sulm seksual.
Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e mbrojtësit së të akuzuarit Baliq, avokatit Salih Mekaj ndërsa ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Themelore të Pejës si të pa bazuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Baliq është akuzuar nga prokuroria se duke u ushtruar detyrën e mjekut në Spitalin e Pejës ka keqpërdorur gjendjen e të dëmtuarës për qëllime seksuale. Sipas prokurorisë, i akuzuari e kishte cytur viktimën që ta prekë me qëllime seksuale pa pëlqimin e saj.
Ai ishte dënuar me dy vite burgim nga Gjykata Themelore në Pejë, në të cilin dënim ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

