Apelojnë infektologët: Shteti ta shtojë kujdesin rreth coronavirusit
Institucionet shëndetësore kosovare janë vënë në gjendje gatishmërie rreth virusit misterioz i cili me shpejtësi të madhe ka nisur që të përhapet në disa prej shteteve më të mëdha në botë.
Në Kinë nga virusi corona tashmë kanë vdekur 54 persona si dhe 2 mijë të tjerë janë infektuar. Por janë mijëra persona të tjerë që janë izoluar duke e shmangur kështu çfarëdo kontakti me të prekurit. Ndërkohë të prekurit e parë nga corona tashmë janë paraqitur në Australi si dhe Kanadë.
Por edhe Kosova si thuajse çdo shtet i Ballkanit dhe i Evropës është mobilizuar me masat e para për parandalimin e përhapjes së coronës në vend.
Nga janari i këtij viti, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik është duke e monitoruar situatën. Megjithëkëtë, drejtori i IKSHP’së, Naser Ramadani, thotë se Kosova është e rrezikuar njësoj si nga shtetet e tjera.
“Masat që duhet të ndërmerren fatmirësisht në këtë rast janë të ngjashme me masat që ndërmerren kundër gripit dhe gjitha sëmundjeve respiratore që përhapen me shpejtësi. Dhe në këtë kontekst edhe Kosova është e rrezikuar njësoj sikurse edhe shtetet e tjera. Për këtë arsye IKShP prej 31 dhjetorit tashmë është në gjendje gatishmërie me ekipe kujdestare të cilat përcjellin çdo rast”, është shprehur Ramadani.
Të përgatitur për marrjen e masave të shpejta për këtë virus misterioz janë edhe infektologët kosovarë. Doktori i QKUK’së, Sali Ahmeti në një bisedë për Express ka dhënë detaje rreth këtij virusi.
“Ky është një virus i ri, i cili fatmirësisht ende nuk ka ardhë në Kosovë. I përket familjes së koronavirusit. Këto si familje janë të njoftuar edhe më herët, por ky është një tip i ri i cili u shfaq në Kinë”, ka sqaruar infektologu kosovar.
Ai ka thënë po ashtu detaje se cilat janë simptomat e para të prekjes nga virusi corona.
“Është një virus i cili fillon si një grip por ka predispozita me dhanë reaksione të shpejta të cilat mund të rrezikojnë jetën e personit të prekur. Fatbardhësisht tek ne ende nuk është shtrirë. Por mos të harrojmë se globalizimi ka krijuar gjasa të mëdha për përhapjen e shpejtë të virusit. Ne lusim që mos të vije tek ne”, thotë ai.

