Argumenti për Asociacionin, “në duart” e Vuçiqit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të kushtëzojë vazhdimin e dialogut me Kosovën me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, thotë Stefan Surlliq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Surlliq thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me politikat e veta tregon se në Kosovë vlejnë konceptet njëetnike, por vetëm për shqiptarët.

Surlliq nuk pret që në rundin e 15 qershorit, palët të bisedojnë për Asociacionin.

Ai thotë se duhet të gjenden “forca të brendshme” që do t’i detyronin liderët të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, pasi, sipas tij, Bashkimi Evropian ofron vetëm shkopin dhe jo karotën.

Radio Evropa e Lirë: Profesor Surlliq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të përballet të martën me një bashkëbisedues të ri në Bruksel: kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Cila është ajo gjëja e parë që prisni nga ky takim?

Stefan Surlliq: Pres që të dyja palët të tregojnë dëshirë dhe vullnet për të vazhduar dialogun, për të biseduar për temat që mund të dalin në tryezë gjatë periudhës së ardhshme. Ka pasur shumë mesazhe të ashpra dhe negative nga Beogradi dhe Prishtina, andaj është edhe simbolikisht e rëndësishme që të takohen dhe, nga pozita e udhëheqësve, të dërgojnë mesazhe më të moderuara dhe të dëshmojnë se janë të vendosur për dialog.