Armiqësia me analistët dhe mediat – Abdixhiku akuzon një televizion: Nuk na pranuan në studio

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se një studio televizive nuk ka pranuar t’i ketë në studio zyrtarët e LDK-së të flasin për temën e kontratave një-burimore.

Në një intervistë për Pressing në T7, Abdixhiku u shpreh se ka media që nuk duan të flasin për kontratat sekrete, një-burimore të Qeverisë Kurti.

“A e dini ju që për këto kontratat sekrete që ka studio televizive, bukur e shikueshme në Kosovë, që ka refuzu me na dhënë hapësirë për kontratat sekret. Ju jeni studio e dytë, e tretë, që na keni ofruar mundësinë, por ka studio në Kosovë që refuzojnë këtë temë. I kemi thënë duam të vijmë në emision te ju të flasim për tenderët sekret, nuk po dojnë… na kanë thënë hajde flasim për Kurtin dhe dinarin”, tha ai.

Ai tha se ka media dhe analistë që i frikësohen pushtetit.

“Ne kërkojmë të flasim për kontratat një-burimore, studiot televizive nuk duan. Disa edhe ju frikohen pushtetit. Disa janë në payroll të pushtetit, për ata nuk vijnë ministrat nëpër studio – sepse pra, ministri e qeveria i ka çdo mbrëmje nga dy analista në studio televizive”, tha Abdixhiku.

Ai tha se nuk i pengojnë analistët, por ka disa prej tyre që kanë agjendë dhe shpifin ndaj LDK-së.

“Askush për besë. Pse ata bën me më sulmu mua, e unë s’po bëka. Pra, s’dua të merrem me ata se s’janë temë. Ata janë duke kontribuar në propagandë dhe në dëmtimin e përpjekjeve që po i bëjmë ne si LDK; dikush me agjendë, dikush pa vetëdije, dikush se s’di, dikush se ka inate personale.. krejt në rregull është, por kritikën e padrejtë do ta them. Për që ka shpifje shumë ndaj punës që po e bëjmë, që ka parashikime të Zonjës Meri nëpër studio televizive ka, do ta ngrisim zërin për këtë”, tha ai