Aro Muriq lë nam në Gjermani, i jep kamarires 10 mijë euro bakshish
Portieri i Përfaqësueses së Kosovës, Arijanet Muriq, ka lënë nam në Gjermani, ku një kamariereje i ka lënē bakshish 10 mijë euro, pas një nate të paharrueshme në Munich, raportojnë mediat e huaja.
Chantal, 25-vjeçare, e ndau tregimin e saj për natën e kaluar me portierin e Kosovës dhe pjesën tjetër të shoqërisë së tij.
Kamerierja, që është studente e administratës së biznesit, foli për gazetën e madhe gjermane “Bild”, ndërsa përgëzoi mysafirin “shumë të këndshëm” gjatë rrëfimit.
Muriq vizitoi klubin e natës “Filmcasino” në “Qytetin e Vjetër” në Munich në fillim të muajit prill me një grup miqsh, ndërsa më pas festoi shumë.
Fatura arriti shifrën 36 mijë euro.
Në këtë faturë përfshiheshin 40 shishe të shampanjës “Dom Perignon” dhe 10 shampanja të tjera “Armand de Brignac”, ku pronar është Jay-Z.
Katër shishe të tjera ishin “Moet&Chandon Nectar”, shampanjë tjetër e shishe të “Chivas Regal”.
Për portierin, po ashtu thuhet se ka blerë nga një pije për secilin në këtë klub nate, që preferohet nga yjet e Bayern Munichut dhe shoqëruesit e tyre.
“I ftova të gjithë dhe e ndava fitimin me kolegët e mi”, tregon Chantal.
Chantali e përshkroi portierin si “mysafir shumë të këndshëm e mikpritës”.
“Ai krijoi atmosferë të mirë”, ka thënë Chantal.
“Bildi” ka kontaktuar portierin e Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje.
Edhe pse nata e saktë e vizitës së lojtarit nuk është bërë e ditur, ka shanse që inkuadrimi i Burnleyt në Premier League të ketë të bëjë me festën madhështore të Muriqit.
