Arrestimi i fajdexhinjve pritet të zbulojë se kush i bëri presion 36-vjeçarit nga që u vetëvra

Aksioni kundër fajdes i cili u zhvillua sot në rajonin e Pejës dhe rezultoi me 15 të arrestuar lidhet me ngjarjen tragjike të 14 shtatorit të vitit të kaluar, vetëvrasjen e 36-vjeçarit Baton Berisha. Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se arrestimi i të dyshuarve pritet të zbulojë se kush i bëri presion të riut që i dha fund jetës së tij.

Baton Berisha, 36-vjeçar, dyshohet se i dha fund jetës së tij, më 14 shtator, në fshatin Sferkë e Thatë të Pejës. Ai ishte larguar një ditë më parë nga shtëpia dhe familjarët e tij e raportuan të zhdukur në polici.

Por, të nesërmen, rreth orës 13:00, ata e gjetën 36-vjeçarin pa shenja jete në një fushë të këtij fshati, me një vrimë në kokë, që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit.

Sinjali pati raportuar se arsyeja pse Batoni ka kryer vetëvrasje është për shkak të presionit që e ka pasur nga fajdexhinjtë.

Një person i afërt me të i ka thënë Sinjalit se Batoni kishte marrë fillimisht 8 mijë euro borxh nga disa fajdexhinj dhe tani borxhi ndaj tyre kishte arritur në 100 mijë euro.

Për këtë, ky sinjalizues kishte deklaruar se fajdexhinjtë kanë shkuar te shtëpia e Batonit dhe e kanë kërcënuar atë dhe familjen e tij, duke tentuar që t’i largojnë nga shtëpia dhe t’ua marrin atë në këmbim të borxhit.

Ditën kur fajdexhinjtë i shkuan 36-vjeçarit në shtëpi, ua kanë prezantuar familjarëve një listë të borxheve, që kanë arritur shumën e 100 mijë eurove.