Arrestimi i mjekut Bekim Ademi ka të bëjë me rastin e ish-kryetarit të Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq

Policia e Kosovës njoftoi përmes raportit 24-orësh pë arrestimin e një mjeku në Prishtinë, nën dyshimin për ‘keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar’.

Sipas Prokurorisë Speciale, një mjek me inicialet B.A. është ndaluar për 48 orë pasi dyshohet të ketë keqpërdorur pozitën e tij. Prokuroria Speciale njoftoi se i arrestuari, dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar”.

Ndërkaq, KOHA merr vesh se i arrestuari është Bekim Ademi, kirurg vaskular në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare.

Ai dyshohet se kishte hapur një histori të rreme në spital për një qytetar serb, i cili KOHA mëson se është ish-kryetari i Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq. Dyshohet që kjo është bërë me qëllimin që serbi, i cili mban pozitë publike, ta përdorë “shtrirjen në spital” si arsyetim për t’iu shmangur daljes para gjyqit.

Madje, burimet kanë thënë se policia ka qëndruar në këtë repart për plot tre ditë.

Siç ka mësuar KOHA, Ademi i kishte hapur historikun këtij serbi të dyshuar kinse është i spitalizuar në QKUK më 28 gusht për trombozë, por hetuesia ka dëshmi dhe e ka fotografuar ato ditë në kafiteri.

Me aktvendim të prokurorit i dyshuari B.A është dërguar në mbajtje për 48 orë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.

Në të vërtetë, Mediafokus.info shton se Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) kishte njoftuar për ngritjen e aktakuzëz kundër kryetarit të Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq, në korrik të këtij viti, lidhur me zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021, nën dyshimin e bazuar se ka kryer vepër penale.

“Prokuroria Speciale njofton se aktakuzën e ka ngritur kundër Dejanoviq për shkak se është vërtetuar dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’’ e paraparë dhe sanksionuar me nenin 210 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës”, thuhej në komunikatën e tyre.

Bozhidar Dejanoviq dyshohet se ka ndikuar tek punëtorët e komunës së Kllokotit dhe qytetarë të tjerë për të votuar në një mënyrë të caktuar.