Arrestimin e 5 personave për mas’akrën e Llovcës, familjarët e viktimave e përshkruajnë si “ditë gëzimi”
Prokuroria Speciale e Kosovës, përmes një njoftimi në Facebook, ka njoftuar se pas hetimeve disa mujore, bashkë me Policinë e Kosovës kanë arrestuar pesë persona të dyshuar për krime lufte, përkatësisht përgjegjësit për vrasjen mizore të civilëve shqiptarë në fshatrat e Gjilanit, Llovcë, Inatoc (Kokaj), Pogragjë dhe Uglar.
Këtë lajm familjarët e viktimave e kanë përshkruar si ditë gëzimi.
“Ditë gëzimi për neve mezi po pres ti jau shof fytyrat e atyre paramilitarve që masakruan e në mesin e viktimave ishte i masakruar dhe i djegur Baba jon Rahim imeri”, ka qenë reagimi i Fitim Imerit, djalit të Rahim Imerit, të cilin forcat paramilitare serbe e vranë dhe ia dogjën trupin më 5 prill 1999, shkruan Mediafokus,info.
Gjatë ditës, përmes një komunikate për media, Prokuroria Speciale ka bërë me dije inicialet e personave, D.C., D.N., N.S., S.J., M.Sh, të cilët dyshohet se më 5 prill 1999 kishin ndërmarrë aksion në disa fshatra, për të vrarë e maltretuar viktimat shqiptare.
“Në kuadër të këtij aksioni, me urdhër të Prokurorit Special, janë ndaluar personat me inicialet: D.C., D.N., N.S., S.J., M.Sh., me dyshimin e arsyeshëm se të njëjtit, në bashkëkryerje edhe me pjesëtar tjerë të paidentifikuar të këtij grupi, të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, më 05.04.1999, në orët e para të mëngjesit, kishin ndërmarrë një aksion në fshatrat Inatoc (Kokaj), Llovcë, Pogragjë dhe Uglar, ku me qëllim dhe dashje kishin vrarë, plagosur, djegur për së gjalli viktimat civile shqiptare, marrë peng, dhunuar, rrahur, maltretuar, torturuar fizikisht dhe psiqikisht, plaçkitur, shkatërruar pronat e shqiptarëve dhe djegien e tyre, dëbuar popullatën civile shqiptare, shkatërruar dhe abuzuar objektet kulturore dhe fetare, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë” – thuhet në njoftim.
Ndryshe, përpos dëbimit masiv, pengmarrjes, plagosjes, maltretrimit e plaçkitjes, në fshatin Llovcë të Gjilanit forcat militare e paramilitare serbe masakruan në mënyrën më barbare shtatë persona: Rahim Ymeri (arsimtar), Xhemail Halimi, Xhevrije Zeqiri, Nexhmije Azemi, Rabit Dalipi, Sami Xhelili dhe Avdi Rexhepi./mediafokus.info/

