Arrestohen dy kosovarë në Kukës, kapen me 8 pistoleta të trafikuara nga Kosova
Policia e Kukësit ka zbuluar dhe goditur një rast të trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova drejt Shqipërisë, duke vënë në pranga dy shtetas kosovarë dhe sekuestruar tetë armë të llojit pistoletë, shkruan Gazeta Sinjali.
Operacioni i koduar “Kalibri” u zhvillua në vendin e quajtur “Ura e Hasit”, ku u ndalua për kontroll një automjet me targa kosovare, në të cilin ndodheshin dy persona: drejtuesi A. M., 46 vjeç dhe pasagjeri Sh. Q., 31 vjeç, të dy banues në Prizren.
Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi tetë armë zjarri të tipit pistoletë, të cilat ishin fshehur brenda automjetit.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se armët ishin trafikuar përmes kufirit jeshil nga Kosova në Shqipëri, me qëllim shitjen e tyre.
Dy persona të tjerë, që dyshohet se ishin blerësit e armëve, janë larguar nga vendngjarja në momentin kur panë shërbimet e policisë dhe janë ende në kërkim.
“Vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në trafikimin e armëve dhe të shtetasve që do të blinin armët, gjeneralitetet e të cilëve nuk bëhen me dije për shkak të hetimit,” thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Kukësit.
Materialet hetimore janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës për veprime të mëtejshme ligjore.

