Arrestohen dy të dyshuar në Gjilan për gjuajtje me armë zjarri në dasmë
Policia në Gjilan, me datë 16.07.2023, rreth orës 14:20 ka pranuar një informacion për të shtëna me armë zjarri në një lagje të qytetit të Gjilanit.
Njësitet policore kanë arritur që të lokalizojnë vendin e ngjarjes ku kanë takuar dy të dyshuar R.I. (1955) dhe F.S. (1977), të dy shqiptarë kosovarë) të cilët dyshohet se gjatë një ahengu familjar (dasmë) kanë shtënë me armë zjarri.
Nga të dyshuarit janë konfiskuar dy armë zjarri, njëra e llojit Walther e kalibrit 9 mm dhe tjetra e llojit Zoraki 917-T si dhe tri gëzhoja të kalibrit 9 mm.
Të dyshuarit janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacionin policor në Gjilan, ku janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës.
Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që ndaj dy të dyshuarve të ngritët kallëzim penal për veprat penale ,,Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ dhe rasti të procedohet në prokurorinë themelore, thuhet në njoftim.
Njëherësh, Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan bënë apel për mos përdorim të armëve gjatë ahengjeve, duke rikujtuar se në të shkuarën ka pasur raste kur përdorimi i armëve në këso raste ka sjellë pasoja tragjike.
Prandaj, për një mjedis të sigurt dhe paqësor “Festoni me zemër, jo me armë’’.
