Arrestohen për ‘vrasje e rëndë në tentativë’ dy persona në Prishtinë
Dy persona janë arrestuar në Prishtinë, pasi kanë tentuar t’i shkelin me veturë zyrtarët policorë në rroba civile, e më pas njëri nga të dyshuarit ka shtënë edhe me armë zjarri në drejtim të policëve.
Rasti ka ndodhur të martën, në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë.
Siç bëhet e ditur në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë i janë përgjigjur me të shtëna në drejtim të dyshuarit.
Zyrtarët policorë kanë pranuar trajtim mjekësor, ndërsa në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një pistolete me gjashtë fishekë.
Të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.
Njoftimi i plotë i policisë:
VRASJE E RËNDË NË TENTATIVË /Prishtinë 15.03.2022 – 21:19. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovar, pasi që të njëjtit me veturë kanë tentuar të godasin zyrtarët policor (në rroba civile) dhe më pas njëri nga të dyshuarit me pistoletë ka shtënë në drejtim të zyrtarëve policor. Zyrtarët policor i janë përgjigjur me të shtëna në drejtim të dyshuarit. Zyrtarët policor kanë pranuar tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes është konfiskuar një pistoletë me 6 fishekë. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

