Arrestohen tre persona, dyshohen për kontrabandë me migrantë dhe mallra
Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona, nën dyshimin për kontrabandë me migrantë dhe mallra.
Departamenti i Policisë Kufitare, gjatë realizimit të detyrave dhe aktiviteteve të përditshme, ka iniciuar dy rate: ‘kontrabanda me mallra’ dhe ‘kontrabanda me emigrantë’ dhe ka arrestuar tre të dyshuar si dhe ka konfiskuar mallra të kontrabanduar.
Po ashtu, policia i ka trajtuar sipas procedurave nëntë emigrantë.
Kontrabanda me mallra: Njësia patrulluese e policisë kufitare, më 20.04.2021 rreth orës 19:00, në zonën kufitare mbi fshatin, Korminjan, komuna Ranillug, ka arritur t’i ndalojë tre traktorë me rimorkio të improvizuara të cilët kishin ardhur nga Serbia për në Republikën e Kosovës.
Drejtuesit e traktorëve kishin përdorur rrugë ilegale për të kontrabanduar mallra.
Me këtë rast policia ka konfiskuar:
– Birra, 222 arka x 20 shishe 0.5 litërshe
– Laptop të përdorur gjithsej 51 copë
– Rregullator për laptop 98 copë
– Tastatura për laptop te përdorura 39
– Pula të gjalla 53 copë
– Neskafe 1 pako me gjithsej 180 copë
– Sallame 14 copë me peshe 4.683 gramë
– Rafte metali 15 copë dhe
– 13 artikuj ushqimor 248 copë.
Me aktvendim të prokurorit, njëri nga të dyshuarit dërgohet në mbajtje, dy të tjerët lirohen në procedurë të rregullt.
Kontrabanda me emigrantë: Zyrtarët policorë, në Pikën e Kalimit Kufitar Hani i Elezit, më 21.04.2021, në ora 11:10 në hyrje në Terminalin Doganor kanë kontrolluar me prisje të veçantë (zbulues të pranisë së njerëzve në automjete) një kamion që drejtohej nga: S.N. (viti i lindjes 1976, shtetas i Serbisë), i cili vinte nga Greqia.
Gjatë kontrollimit, pas sinjaleve të marra, është vendosur që rimorkio të hapet për kontroll. Pas kontrollit, në rimorkion e kamionit janë hasur nëntë emigrantë pa dokumente identifikimi.
Rasti është trajtuar ne koordinim me prokurorin kujdestar.

