Arrestohen tre të dyshuar në Vlorë për mbajtjen peng të një 39-vjeçari nga Kosova

Një 39 vjeçar me inicialet F.X. nga Mitrovica ishte rrëmbyer e mbajtur peng në një banesë në Vlorë nga 28 nëntori nga disa të dyshuar, të cilët në këmbim të lirimit të tij ia kërkuan 70 mijë euro.

Policia e Shtetit doli me njoftim sot për rastin dhe publikoi pamjet gjatë arrestimit të tre të dyshuarve.

“Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale, në kuadër të operacionit policor të koduar “Hostage”,  u bë e mundur kapja në flagrancë e shtetasve: • J. Z., 25 vjeç, O. Ç., 18 vjeç dhe V. A., 35 vjeç, të tre banues në Vlorë”, tha policia shqiptare.

“Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas në një apartament në rrugën “Janaq Kilica”, lagjja “Osman Haxhiu”, kishin rrëmbyer dhe mbajtur peng që prej datës 28.11.2025 shtetasin F. X., 39 vjeç, banues në Mitrovicë, Kosovë, duke e dhunuar fizikisht dhe duke i kërkuar shumën prej 70 000 eurosh për lirimin e tij”.

Gjatë operacionit policor u bë e mundur lirimi i menjëhershëm i kosovarit të mbajtur peng, i cili ka marrë dhe kujdesin e nevojshëm shëndetësor, tha policia.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, në posedim të shtetasit J. Z., u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa, si dhe një radio marrëse-dhënëse e ngjashme me ato të Policisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Rrëmbim ose mbajtja peng e personit”, e kryer në bashkëpunim,

“Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.

Të dyshuarit, në dëshminë e tyre në komisariatin e Vlorës nuk e pranojnë akuzën, shkruan A2 CNN.

Sipas tyre, ata nuk e kanë marrë peng shtetasin nga Kosova. Ata tregojnë se ky shtetas i ka marr borxh një shumë prej 70 mijë eurosh.

Po ashtu ata thonë e kanë mbajtur shtetasin nga Kosova, duke i kërkuar që t’i kthejë borxhin.

Dyshohet se borxhi ishte për çështje droge. Shtetasi nga Kosova sipas autorëve ka dal garand se do të dërgonte një dërgesë jashtë vendit me vlerë 70 mijë euro. Gjithashtu dyshohet se autorët i kanë dhënë drogën, ai e ka çuar jashtë shtetit dhe nuk i ka kthyer më pas lekët. (A2 Televizion)