Arrestohen 16 pelegrinë serbë, njëri nga ta lidhje familjare me një terrorist të Banjskës

16 persona të ndarë në katër vetura me targa të Kragujevcit të Serbisë janë ndaluar nga Policia e Kosovës përgjatë një operacioni të përbashkët me organeve të tjera të sigurisë të shtunën dhe të dielën.

Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, ka thënë se përveç katër pelegrinëve serbë në Gjakovë, janë ndaluar edhe 12 të tjerë në Prizren.

Në një operacion të përbashkët të realizuar nga organet tona të sigurisë më datë 05.04.2025 dhe 06.04.2025, janë ndaluar gjithsej 16 persona, të ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë. Struktura e të ndaluarve ishte e kombinuar, ku katër prej tyre rezultuan të jenë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë.

 

Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se këto grupe kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës”, ka thënë ndër të tjera Sveçla.

 

Sveçla thotë se në bazë të hetimeve paraprake, një toger ka lidhje të afërta familjare me anëtarin e grupit terrorist të Bansjkës, Nemanja Radivojeviq me nofkën “Gandi”. Sipas ministrit në detyrë, “Gandi” është i lidhur me Vladimir Radivojeviq, të dyshuarin kryesor për vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku.

Zyrtari tjetër ushtarak, i cili bartë gradën e kapitenit të klasit të parë, është lidhje e ish-gjeneralit të inteligjencës ushtarake serbe, Jovan Milanovic, i njohur për përfshirjen në rrjedhjen e të dhënave të NATO-s para bombardimeve mbi caqet serbe”, sqaron ndër të tjera Sveçla.

Policia në Prizren bëri të ditur shkurtimisht për Insajderin se ka arritur të bëjë identifikimin e pelegrinëve serbë.

 

Policia ka njoftuar gjatë ditës së në veturën e katër pelegrinëve serbë në Gjakovë janë gjetur dhe sekuestruar dy thika dhe një sëpatë.

 

Sveçla bëri me dije se të njëjtëve iu është gjetur edhe fotografi me hartën e Republikës së Kosovës dhe fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë.