Arrestohet i dyshuari për vrasjen e 14-vjeçares në Maqedoni
I dyshuari kryesor për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit, Lupço Palevski – Pallço, është arrestuar sonte në Turqi, konfirmoi ministri maqedonas i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në një konferencë për media.
Arrestimi vjen pas fletarrestit ndërkombëtar për Palevskin, të cilin Ministria e Punëve të Brendshme e lëshoi dje.
“Lupço Palevski i lindur me 12.12.1964 në Shkup, me urdhër ndërkombëtar kërkohet për hetimin e veprave penale “rrëmbim” dhe “vrasje” në bazë të urdhrit XV KO nr. 3047/23 të lëshuar nga Prokuroria Themelore Publike, Zyra Shkup”, është bërë e ditur në faqen e MPB-së.
Prokuroria Themelore Publike në Shkup paraprakisht në gjykatë ka dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit afatshkurtër prej 48 orësh ndaj 46-vjeçarit nga Shkupi, nën dyshimin se ka ndihmuar Lupço Palevski-Pallço për arratisje në Turqi, përmes Bullgarisë dhe Serbisë.
Adoleshentja Vanja Gjorçevska është gjetur e pajetë më 3 dhjetor në afërsi të Shkupit, pasi ishte shpallur e zhdukur më 27 nëntor të këtij viti.
Ndërkaq, Pançe, me origjinë nga Velesi, është gjetur të njëjtën ditë, pas raportimit për zhdukjen e tij më 24 nëntor.
Katër të dyshuarit për vrasjen e Vanja Gjorçevskës sonte janë sjellë në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, ku gjyqtari i procedurës paraprake do të vendosë për propozimin e prokurorisë për vazhdimin e masës së paraburgimit.

