Arrestohet i dyshuari për vrasjen në Debelldeh të Vitisë

Policia në Gjilan, si rezultat i veprimeve të vazhdueshme hetimore, intervistave, zbatimit të masave të veçanta hetimore si dhe kontrolleve të përsëritura në disa lokacione të identifikuara si të mundshme për strehim (fshehje) të të dyshuarit, ka arritur të ushtrojë presion të vazhdueshëm që besohet se ka çuar në dorëzimin e të dyshuarit, sot me datën 01.10.2025.

I dyshuari J.I. (viti i lindjes 1987) mashkull kosovar, shtetas i Kosovës, dyshohet se është i përfshirë në rastin e veprës penale ‘’Vrasje e rëndë’’ të ndodhur me datën 18.09.2025 në fshatin Debëlldeh të Komunës e Vitisë.

I dyshuari, që nga ajo kohë deri më sot ka qenë në arrati.

I njëjti është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë në qendrën e mbajtjes.

Hetimet rreth rastit janë në vazhdim e sipër në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, thuhet në njoftim.