Arrestohet kosovari, paraqitet si polic dhe kërkon para nga 84-vjeçari

Një shtetas kosovar ka dashur të marrë para nga një qytetar i moshuar në rajonin Weinfelden, (Kantoni i Thurgaut) si pjesë e një mashtrimi telefonik.

Por, të moshuarit të zgjuar 84-vjeçar i ishte dukur e dyshimtë kjo telefonatë, transmeton albinfo.ch.

Rrjedhimisht ai ka njoftuar Policinë Kantonale të Thurgaut, e cila ka arrestuar mashtruesin 34-vjeçar

Plaku zviceran ka marrë një telefonatë nga një person, i cili pretendonte të ishte polic.

Ai i ka shpjeguar atij se para të falsifikuara ishin paraqitur në qarkullim, shkruante policia kantonale në një komunikatë të lëshuar të mërkurën, shkruan Agjencia e Lajmeve e Zvicrës, SDA.

I moshuari qe udhëzuar nga mashtruesi përmes telefonit që të tërhiqte para nga banka në mënyrë që një person të mund të vinte në shtëpinë e tij për të kontrolluar nëse ato ishin autentike ose false.

Por 84-vjeçari ka dyshuar për tentativë mashtrimi dhe ka lajmëruar policinë. Dhe, policët arritën të arrestonin njeriun që donte të merrte para me mashtrim. Ndaj tij u hap një hetim penal.

Rekomandime të sjelljes nga policia kantonale e Thurgaut: Policët e vërtetë nuk do të kërkojnë kurrë nga diksuh dorëzim parash apo sendesh me vlerë.
Asnjëherë mos u jepni para ose sende me vlerë njerëzve të panjohur. (foto ilustrim)