Arrestohet në Itali një çift me origjinë nga Kosova
Një çift me origjinë nga Kosova, por të lindur në Itali, u ndalua në Trento nga policia nën dyshimin për terrorizëm apo cenim të sigurisë dhe rendit publik, përcjellë express.
Bëhet e ditur se ata janë arrestuar nga policia italiane, pasi akuzohen se planifikuan një sulm terrorist në emër të organizatës ISIS.
Ndërkohë familja me origjinë kosovare, e integruar më së miri në Itali, prej kohësh kishin hyrë në rrugën e radikalizimit, përmes propagandës xhihadiste në internet dhe ishin trajnuar për të kryer sulme terroriste.
Sipas mediave italiane ata kishin planifikuar një sulm me mjete shpërthyese në Itali, në emër të organizatës terroriste ISIS.
Ata janë vënë nën hetim nga drejtësia italiane për bashkëpunim me qëllim terrorizmi ose përmbysje të rendit demokratik, rekrutim dhe trajnim për qëllime terroriste, duke përfshirë edhe ato ndërkombëtare.
Çifti u ndalua më 15 qershor, pas urdhërit të lëshuar nga prokuroria e Trentos, ndërsa gjykata vendosi më 18 qershor masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’.
Për burrin u vendos detyrim edhe mbajtja e byzylykut elektronik.
Vendimi për masën e sigurisë, sipas karabinierëve, është përcaktuar nga nevoja që autoritetet e drejtësisë italiane, të garantojë deradikalizimin e dy të dyshuarve dhe familjes së tij.
Sipas hetuesve, dy të dyshuarit, pasi të kryenin sulmin në Itali, do të arratiseshin drejt Afrikës, për t’iu bashkuar organizatës terroriste “Shteti Islamik”.
Mësohet se gjatë operacionit u sekuestruan pajisje kompjuterike dhe produkteve kimike, lëndë për prodhimin e mjeteve shpërthyese, të cilët u çuan për hetime teknike. (foto arkiv)

