Arrestohet në Kabash të Vitisë një i dyshuar për kontrabandë
Një i dyshuar për kontrabandë me mallra është arrestuar nga policia në Kabash të Vitisë.
Fsh. Kabash, Viti 07.11.2022 – 19:00. Është ndaluar i dyshuari mashkull kosovar i cili ishte me automjet kombi dhe gjatë kontrollit ka pasur të ngarkuar mallra të ndryshme të cilat dyshohet se i ka kontrabanduar nga Maqedonia. Malli me automjet janë konfiskuar dhe dërguar në terminalin doganor ndërsa me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, thuhet në njoftimin e policisë.
Njoftimi i plotë i policisë:
Njësitet e Task-Forcës operative të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare Lindje, pas pranimit të informatave nga terreni për lëvizje të dyshimta në brezin kufitar, kanë ndërmarrë masa të nevojshme operativo-taktike, duke bërë prita dhe kontrolle në rrugët e brezit kufitar dhe rrugët dytësore të fshatrave të Vitisë dhe si rezultat i kësaj është parandaluar një rast i kontrabandës me mallra.
Dje, më 7 nëntor 2022, rreth orës 19:50, në fshatin Kabash në drejtim të fshatit Smirë është vërejtur duke qarkulluar një automjet transportues pa drita dhe pa targa, me të cilin dyshohej se po kryhej kontrabandë me mallra. Policia ka ndaluar automjetin të cilin e drejtonte i dyshuari, recidivist i veprave të kontrabandës me mallra. Ai është arrestuar dhe është shoqëruar për intervistim në Stacionin Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit në Zhegër.
Gjatë kontrollit në automjet janë gjetur këta artikuj:
• 40 thasë me kikirikë të papërpunuar rreth 500 kg,
• 15 pako me rripa të brezit,
• 10 pako çanta të kraharorit,
• 3 pako me altoparlantë –bluetooth,
• 1 pako me mbajtëse të telefonave në veturë,
• 2 pako me aroma të ndryshme (shisha) dhe mallra tjera që dyshohet të jenë kontrabanduar nga territori i Republikës së maqedonase së Veriut.
Rasti është trajtuar nga njësitë përkatëse policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare Lindje.

