Arrestohet në Kosovë “Baroni i drogës”, Gëzim Çela
Policia e Shtetit ka arrestuar shtetasin Gëzim Çela, i ashtuquajtur “Baroni i Drogës”. Mësohet se ai është arrestuar në Kosovë, ndërsa lajmin e ka shpërndarë edhe vetë ministri i Brendshëm, Taulant Balla me anë të një postimi në rrjetet sociale, raporton a2cnn.
“Forca e ligjit do të godasë mbi këdo dhe pandërshkueshmëria do të marrë fund ndaj kujtdo që kujton se do të vazhdojë t’i fshihet drejtësisë. Përgëzoj Policinë e Shtetit, e cila në bashkëpunim me një agjenci të rëndësishme partnere dhe me strukturat ligjzbatuese të Republikës së Kosovës kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit Gëzim Çela, një person i dënuar dhe i kërkuar prej shumë kohësh nga drejtësia në Shqipëri.”, shkruan në reagimin e tij Taulant Balla.
Kujtojmë se, më 13 qershor 2014, gjatë operacionit të Policisë në shtëpinë e tij në Fushë Kuqe të Mamurrasit, u zbuluan 18 kg kokainë.
Nga hetimet e para rezultoi se droga vinte nga Turqia, dorëzohej në vilën në Fushë Kuqe, në pronësi të Gëzim dhe Kujtim Çelës dhe më pas dërgohej në Fier. Prej këtu niste rrugëtimi drejt Italisë.
Nga përgjimet rezultoi se rrjeti kishte dhe bashkëpunëtorë në Kosovë, ndaj për këtë shkak operacioni u shtri në të dyja shtetet njëkohësisht.
Në Kosovë u sekuestruan 50 kg drogë e fortë në një laborator për përpunimin e prodhimin e lëndës narkotike dhe u arrestuan edhe 3 persona të tjerë. Ndërmjet tyre, dhe Valentina Tufina, e dyshuar si “truri” i organizatës.
