Arrestohet në Malishevë kryesuesi që dyshohet për falsifikim të rezultatit të votimit
Një person është arrestuar në Malishevë nën dyshimin se ka falsifikuar rezultatet e votimit gjatë procesit zgjedhor.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, i dyshuari, mashkull kosovar, kishte ushtruar detyrën e kryesuesit të komisionit për numërimin e votave të kandidatëve për deputetë.
Ai dyshohet se gjatë këtij procesi ka manipuluar rezultatet.
Ngjarja ka ndodhur dje, rreth orës 08:30, ndërsa arrestimi i të dyshuarit është realizuar më 22 shkurt 2026. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit të rastit, ai është dërguar në mbajtje.

