Arrestohet një i dyshuar, ofroi lokal për prostitucion në Gjilan
Policia e Kosovës, pas sigurimit të informatave relevante për vendndodhjen e një personi me iniciale M. Sh., i cili që nga viti 2018 ka qenë në arrati, ka arrestuar të dyshuarin.
Për personin e dyshuar, Policia e Kosovës në vitin 2018 gjatë hetimit të rastit ka siguruar prova të besueshme tek të cilat ka mbështetur dyshimet se i njëjti ka kryer veprën penale “Ofrimi i lokaleve për prostitucion” , mirëpo që nga ajo kohë e deri më tani i dyshuari ka qenë i pakapshëm për organet ndjekjes penale.
Pas arrestimit i dyshuari i lartcekur është intervistuar dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e dukurive negative në vend si dhe veprave penale në përgjithësi dhe po ashtu ndërmarrjen e veprimeve efikase operacionale për identifikimin, arrestimin dhe sjelljen e personave të përfshirë në veprime të kundërligjshme para organeve të drejtësisë”, thuhet nga policia.

