Arrestohet një i dyshuar për gjuajtje me armë zjarri në aheng familjar

Policia në Gjilan, më datën 01.08.2025, përmes rrugëve operative ka pranuar informacion lidhur me një rast të të shtënave me armë zjarri që dyshohet të ketë ndodhur në fshatin Livoç i Epërm i komunës së Gjilanit.

Pas pranimit të informacionit, njësitet relevante policore kanë reaguar me shpejtësi duke lokalizuar vendin e ngjarjes dhe identifikuar të dyshuarin L.L. (i lindur në vitin 1986, mashkull kosovar), i cili dyshohet se gjatë një ahengu familjar (dasmë) ka shtënë me armë zjarri.

Nga i dyshuari janë sekuestruar:

Një pistoletë e llojit Zoraki, kalibër 9mm

Një karikator

Dymbëdhjetë copë fishekë të kalibrit 9mm

Dy gëzhoja.

I dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në ambientet e Stacionit Policor Gjilan, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe ‘’Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’’, rast i cili do të procedohet në Prokurorinë Themelore, thuhet në njoftim.