Arrestohet një i dyshuar për skema piramidale dhe bixhoz

Policia në Kamenicë, më datë 19.08.2022 përmes rrugëve operative ka pranuar informatë se në një lagje të qytetit është duke operuar një lokal i lojrave të fatit.

Njësiti i Hetimeve të Stacionit Policor Kamenicë, në koordimim të plotë me Prokurorin e Shtetit dhe Gjyqtarin e Procedurës Paraprake, së bashku me njësitet e tjera relevante, kanë kontrolluar lokalin (shtëpinë) e të dyshuarit, kosovar shqiptar P.G. (1994).

Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar: një tavolinë pokeri, disa pajisje për lojra të fatit, letra bixhozi si dhe një sasi e konsiderueshme e alkoolit, pa dokumentacion përcjellës.

Provat materiale të gjetura janë konfiskuar nga ana e inspektorëve përkatës si dëshmi për Gjykatën.

I dyshuari është arrestuar dhe intervistuar në bazë të procedurave ligjore.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndalur në mbajtje për 48 orë dhe rasti me kallëzim penal ‘Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’ procedohet në Prokurorinë Themelore në Gjilan, thuhet në njoftim.