Arrestohet një serb, akuzohet për vrasjen e 33 kosovarëve para 23 viteve

Një shtetas serb është arrestuar në Budapest të Hungarisë. Ai akuzohet për vrasjen e 33 kosovarëve 23 vite më parë në zonën Kristal në Pejë të Kosovës, transmeton Anadolu Agency.

Sipas mediave hungareze i njëjti është arrestuar në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Urdhër-arresti është lëshuar shtatorin e kaluar për shkak të krimeve të luftës të kryera kundër popullatës civile, thuhet në deklaratën ku informohet se i dyshuari dhe dy shokët e tij akuzohen për përfshirje dhe ndihmë në sulmin e vitit 1999 që ka rezultuar me vdekjen e 33 civilëve në zonën Kristal në Pejë të Kosovës.

Më tej në deklaratë bëhet e ditur se gjykata hungareze, do të shqyrtojë procesin e ekstradimit të të dyshuarit dhe se Prokuroria nëpërmjet Ministrisë hungareze të Drejtësisë do të kalojë në kontakt me autoritetet gjyqësore të Kosovës.