Arrestohet një shtetas shqiptar, dyshohet për dy parcela me kanabis në rajonin e Gjakovës

Policia e Kosovës ka pranuar informacione se në rajonin e Gjakovës, konkretisht në zonën e Koshares në kufi me Republikën e Shqipërisë dyshohej për mbjellje dhe kultivim të bimëve narkotike.

Policia njofton se për rastin janë ndërmarr veprime konkrete policore përfshirë aplikimin e vëzhgimit, monitorimit dhe mbikëqyrjes së zonës.

“Sot njësitet policore të SPMK në Ponoshec rreth orë 05:20 gjatë realizimit të detyrave të tyre në atë zonë pranë dy parcelave ku ndodheshin bimët e dyshuara narkotike kanë ndaluar dhe identifikuar një person të dyshuar mashkull (A.H.) shtetas i Shqipërisë.

I dyshuari i lartcekur është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe me urdhër të prokurorit kompetent ndaj tij është iniciuar rast, përderisa i njëjti ndalohet për 48 orë për procedura të mëtejme ligjore”, njofton policia.

Në vendin e ngjarjes (lokacioni  mbi fshatin Koshare), janë zbuluar dy parcela me gjithsej 317 bimë narkotike të dyshuara kanabis sativa, me madhësi nga 50 cm deri në 100 cm.

“Nga njësitet kompetente është kryer ekzaminimi i vendit të ngjarjes, përderisa me urdhër të prokurorit kompetent është bërë shkatërrimi (djegia) e bimëve në vend të sigurt dhe duke ndërmarr masat e nevojshme për lokalizim dhe mbikëqyrje të kontrolluar të zjarrit në këtë periudhë.

Vlen të potencohet se për shkak të rrezikshmërisë së lartë, konfiguracioni të terrenit dhe se vendi i ngjarjes ndodhej afër vijës kufitare me Republikën e Shqipërisë asistencë relevante është ofruar nga Policia e Shtetit Shqiptar”, përfundon njoftimi.