Arrestohet një zyrtrar policor, ishte përfshirë në një zënkë mes disa familjeve
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht Departamenti i Hetimeve ka pranuar informacione nga Stacioni Policor i Fushë Kosovës, se në fshatin Miradie e Ulet, në një rast zënke në mes disa familjeve, ishte përfshirë edhe një zyrtar policor (R.B), me gradën rreshter, me detyrë në Stacionin Policor ‘Aeroporti’.
Pas disa veprimeve hetimore, në konsultim me prokurorin kompetent, hetuesit e IPK-së në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë arrestuar tre persona, njëri ndër ta zyrtar policor (R. B) që ishte i përfshirë në këtë incident.
Me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” nga neni 186, dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar i armëve” nga neni 366.
“Kallëzimi penal i përbashkët IPK-PK është dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. IPK ka rekomanduar që të dyshuarit, zyrtarit policor (R. B), t`i shqiptohet masa administrative – suspendim nga puna”, njofton IPK.

