Arrestohet polici, fshehu “gjurmët” e së bijës që shkaktoi aksident rrugor

Një punonjës policie ka përfunduar i arrestuar, pasi hetuesit kanë zbuluar se ai ka ndërhyrë për të “fshehur” gjurmët që çonin tek e bija, pasi kjo e fundit shkaktoi një aksident rrugor, raporton a2cnn.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për punonjësin e policisë Inspektor Th.M., Oficer i Patrullës së Përgjithshme/Trup Shërbimi në Postën e Policisë Këlcyrë, Komisariati i Policisë Përmet.”

Rezulton se efektivi ka ndërhyrë duke larguar mjetin e vajzës së tij nga vendngjarja, duke prishur provat. Për këtë arsye ai akuzohet për “shpërdorim detyre”.

“Punonjësi i policisë Th.M. dyshohet për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”, pasi ka kryer veprime të kundërligjshme, duke larguar mjetin e vajzës së tij nga vendi i ngjarjes, e cila ishte përfshirë në një aksident automobilistik në rrugën Petran-Përmet, duke prishur kështu provat në vendin e ngjarjes.”