Arrestohet 41-vjeçari që kërcënoi me vrasje nënën e tij

Një person është arrestuar pasi ka shtënë me armë zjarri drejt nënës së tij.

Pas marrjes së njoftimit se në fshatin Dushk, një shtetas ka kanosur për të vrarë nënën e tij si edhe ka gjuajtur me armë zjarri në oborr, policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje, raportojnë mediat shqiptare.

41-vjeçari E.K, porsa ka parë policinë është larguar menjëherë, por është lokalizuar në një lokal në fshatin Dushk, Lushnjë, dhe falë ndërhyrjes me profesionalizëm, u bë neutralizimi në kohë i tij dhe sekuestrimi i armës së zjarrit pistoletë me fishekë në fole gati për qitje dhe një krëhër me fishekë luftarak.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga Policia, u ushtrua kontroll në banesën e shtetasit A. Z., me të cilën autori shoqërohej, ku u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, 46 fishekë luftarak dhe një sasi me lëndë narkotike cannabis sativa e ndarë në 31 doza.

Në përfundim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. K., 41 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Kanosja”, si edhe shpallën në kërkim dhe po punojnë për kapjen e shtetasit A. Z., 65 vjeç, banues në Dushk, Lushnjë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme. (foto arkuv).