”Artistët lënë gjurmë që të mos i humbim rrugët” – lamtumira e fundit për aktorin Adem Muji

Në Gjenevë i është dhënë lamtumira e fundit aktorit dhe veprimtarit kosovar nga Gjilani, Adem Muji, i cili u nda nga jeta, më 16 dhjetor, në moshën 66 vjeçare.

Përmes një ceremonie homazhi në “chapelle de l`Ange” u kujtua me emocione jeta dhe vepra e artistit Muji.

Takimin e moderoi aktivistja dhe poetja kosovare, Mirishahe Limani – Hiler, mike e familjes Muji, ndërsa dy nga fëmijët e të ndjerit, Iliri dhe Afërdita evokuan kujtime për babanë e tyre.

Me fjalë dashurie për gjyshin e tyre, në këtë takim përkujtimor janë paraqitur edhe nipërit dhe mbesa: Noli, Andi dhe Adea.

Adem Muji ishte i lindur më 25 prill 1958 në fshatin Bresalc të komunës së Gjilanit dhe kishte mbaruar studimet në Universitetin e Prishtinës.

Krahas pjesëmarrjes në aktivitetet e kohës, ai, duke filluar nga vitet `80 u aktivizua në Teatrin e Qytetit të Gjilanit, ku mbahet mend për një sërë rolesh të suksesshme.

Në rrethanat e vështira, të krijuara në fillim të viteve `90, sikur shumë moshatarë të tij, edhe Ademi u detyrua të braktiste Kosovën dhe të zhvendoset në Zvicër.

Këtu, për të mbajtur familjen, atij iu desh të punonte jashtë profesionit të tij, në ndërtimtari, hoteleri etj., ndërsa aktiviteti i tij i fundit profesional ishte si asistent social në Hospic General.

Në këtë vend pune, siç e thotë zonja Limani-Hiler “ai shtegtari migrues, tani ishte i angazhuar në pritjet e emigrantëve më të rinj që vinin nga atdheu i tij, apo edhe nga vise të tjera të Ballkanit”.

Megjithëse në këto kushte ai nuk mund t`i përkushtohej ëndrrës së tij, teatrit, Adem Muji nuk qëndroi duarkryq: ai përgjatë disa viteve u angazhua në shoqatën kulturore të shqiptarëve të Gjenevës “Igballe Prishtina”, ku ka realizuar, veç tjerash edhe disa shfaqje teatrore.

Pak vite pas luftës, ai u kthye për një kohë në Kosovë, ku u angazhua në një serial të njohur të atyre viteve me titullin “Qyteti pa lumë”, me regjisor, Ilir Kabashin.

“Së fundmi, ai ishte angazhuar për të vënë në jetë një projekt të ri “Adami dhe Eva”, përmes teatrit modern”, tha veç tjerash, zonja Limani-Hiler.

”Artistët lënë gjurmë që të mos i humbim rrugët”, ka përfunduar Limani-Hiler në lamtumirës e saj për artistin kosovar nga Gjilani, një zë i fuqishëm skenik.