As mjekët s’janë të kënaqur me pagat, por nuk do të ankohen

Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK) nuk e ka ndërmend të dorëzojë ankesë te Avokati i Popullit sa i përket koeficientit të Ligjit të Pagave. Këtë e ka konfirmuar kryetari, Pleurat Sejdiu.

Sejdiu e konsideron si diskriminues këtë Ligj, por që pret që i njëjti të përmirësohet. Sipas tij, në Ligjin e Pagave, janë dy pika që i konteston OMK-ja, me ç’rast thotë se do të vendosin për hapat e mëtutjeshëm në organet e tyre.

Ndonëse e konsideron si rritje të pagave, Sejdiu thotë se i njëjti nuk përkon me realitetin. I kënaqur thotë se janë me rangimin që u janë bërë në këtë Ligj.

“Po shikoni tash nëse e shikojmë rritje numerike do të thotë po është një dyfishim i pagës të mjekut, se sa ajo përkon me realitetin e inflacionit është larg dyfishimit dhe të fuqisë së parasë, kurse në anën tjetër sa i përket rangimit pjesërisht jemi të kënaqur, por ja se kjo është ndoshta një hap i parë të them, më mirë të kemi një ligj dhe mandej të punojmë te një ligj jo të shkëlqyeshëm por konsiderojmë se asnjë ligj nuk i rregullon të gjitha çështjet, nuk i kënaq të gjitha kategoritë, po besoj që është një ligj i cili është më mirë se hiq dhe mund vitin e ardhshëm apo domethënë në vitet në vazhdim të punojmë në të dhe të bëjmë më shumë drejtësi”, tha Sejdiu për EO.