As pas 21 vjetësh nuk janë konservuar kullat e Jasharajve, reagon Bekim Jashari

Për kryetarin e komunës së Skenderajt është absurde se si shteti 21 vjet pas luftës, nuk ka arritur ende të bëjë konservimin e kullave të Jasharajve.

Nipi i komandantit Adem Jashari, Bekimi po thotë se këto kulla kanë mbetur nën mëshirën e fatit, meqë dita ditës priten të shemben.

Kritika ka edhe për mos dokumentimin e krimeve dhe historisë së vendit, për çka tha se sot po përballet vendi me akuza te pabaza.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari në seancën solemne të Kuvendit Komunal tha se nëntori është muaji më i ndritshëm dhe më i rëndësishëm i Rilindjes Kombëtare.

Sipas tij, festa e 28 Nëntor-it shënon tri data thelbësore të historisë së lavdishme, atë të festës së Flamurit, 108 vjetori e Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e 65-të e Komandantit tonë Legjendar Adem Jashari dhe Dalja Publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Jashari tha se sot kujtohet sakrifica e popullit shqiptarë, vuajtjet por në të njëjtën kohë dhe krenaria dhe sukseset e arritura gjatë historisë në formësimin dhe zhvillimin e kombit.

“Nëntori na kthen kujtesën 65 vite pas, kur në Prekazin tonë historik, lindi Komandanti Legjendar Adem Jashari, i cili tërë jetën e tij ia kushtoj vendit, duke filluar me kontributin e tij në demonstratat e vitit 1981, ku kërkesë e vetme në këto demonstrata ishte liria dhe pavarësia e vendit tonë. Komandanti Legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari, së bashku me shumë luftëtarë, trima e trimëresha anë kënd vendit luftuan pa ndalur kundër agresorit serb për të mundësuar që ne dhe gjeneratat e reja të jetojnë të lirë dhe të pavarur”, tha ai.

Baba Shaban, babushi Hamza dhe bali Adem, siç i quajti ai, tha se kishin vendosur që luftën për lirinë e Kosovës ta vazhdojnë deri në frymën e fundit.

Ata me 5,6 dhe 7 mars së bashku me anëtarët e familjes dhe tërë lagjen Jasharaj luftuan kundër forcave serbe, për tri ditë rresht, deri në rënien e tyre heroike në altarin e Lirisë, për të mos vdekur kurrë.

Bekim Jashari tha se sa herë vjen nëntori nuk ka se si të mos kujtohet dalja e parë publike e UÇK-së, që ndodhi pikërisht në ditën e flamurit, me 28 nëntor.

Nipi i Ademit, Bekimi tha se Ushtria Çlirimtare bëri luftë të drejtë për mbrojtjen e tokave, për këtë sipas tij çdo përpjekje për ta njollosur atë, do të dështojë. Lufta e saj është themeli i lirisë që sot frymon në shtetin tonë demokratik.

Ai pati edhe kritika për institucionet, meqë sipas tij nuk është bërë sa duhet për dokumentimin e historisë së Kosovës.