Asambleisti komunal arrestohet për sulm fizik ndaj kryetarit të Komunës

Asambleisti komunal Ekrem Rrahmani është arrestuar nga Policia e Kosovës për kanosje dhe sulm fizik ndaj kryetarit të Komunës, Shpetim Bulliqi.

Lëvizja Vetëvendosje të enjten gjatë ditës kishte bërë të ditur se rastin e kishte dërguar në polici.

Asambleisti i LDK-së është ndaluar për 48 orë.

Rasti është raportuar edhe nga policia, pa dhënë detaje për identitetin e të dyshuarit dhe as të viktimës.

“SULM NDAJ PERSONIT ZYRTAR-Podujevë / 12.09.2024 – 13:30.  Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti ka kanosur dhe sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

Ndryshe, Bulliqi dhe Rrahmani janë përplasur verbalisht dje gjatë seancës së Kuvendit Komunal.

Ata i janë drejtuar njëri-tjetrit me shprehje si “tradhtar”, “pis”, “legen”.

Si pasojë, është ndërprerë edhe seanca.