Asambleja i thotë ‘PO’ anëtarësimit të Kosovës në KiE
Asambleja Parlamentare ka votuar PRO që Kosova të avancojë më tej drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës.
Serbia ishte e pafuqishme ta pengonte vullnetin e shumicës.
Paraprakisht, Asambleja i hodhi poshtë me rend amandamentet e propozuara nga Serbia.
Më herët gjatë ditës, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci në Këshillin e Europës i ka hedhur poshtë disa amandamente tjera që u propozuan nga delegacioni serb dhe disa deputetë italianë e një hungarez që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të bëhet kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Ndërsa dje në Komitetin për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut në Këshillin e Europës u votua unanimisht pro aplikimit të Kosovës për anëtarësim.
Kosova bëri një hap drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës më 27 mars. Me gjithë votën kundër të Serbisë dhe dy vendeve të tjera, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KiE e pati miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis.
Bakoyannis argumentoi në fillim të diskutimit të sotëm në Strasburg se Kosova duhet të jetë anëtare e KiE.
Tani, fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës e ka Këshilli i Ministrave të Këshillit të Europës.

