Asamblistja e PDK-së që la mandatin në dhjetor, zgjidhet kryeshefe ndërmarrjes lokale
Nora Cimili Gagica është zgjedhur sërish në krye të ndërmarrjes publike lokale “Gjelbër”, mënjeherë pasi e lëshoi mandatin e fituar si asambliste e Partisë Demokratike të Kosovë në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Procedurat për përzgjedhjen e kryeshefes së re ishin hapur nga 15.12.2025 deri më 05.02.2026. Ndërsa, Nora Cimili Gagica hoqi dorë më 30.12.2025 nga mandati si kuvendare e kryeqytetit pa më shumë se dy javë pasi që u betua më 09.12.2025.
Konkursi zgjati deri më 05.02.2026, mirëpo në faqen e ‘Gjelbër’ nuk është publikuar emri i personit të suksseshëm për pozitën e kryeshefit/es ekzekutiv.
KALLXO.com kërkoi përgjigje nga Ndërmarrja “Gjelbër” për të kuptuar se kush u pranua në punë nga ky konkurs publik. Ata kanë konfirmuar se Kryeshefe ekzekutive është përzgjedhur Nora Cimili Gagica me gjithsej 87.50 pikë.

Në përgjigjen e tyre thuhet se për këtë pozitë kanë aplikuar gjithsej 5 kandidatë, prej të cilëve 3 kanë përmbushur kriteret e parapara sipas konkursit. Vlerësimi është bërë nga Komisioni vlerësues njëhërësh bordi i Ndërmarrjes “Gjelbër” në përbërje prej: Dren Kafexholli – Kryesues; Kreshnik Domi – anëtar; Mimoza Blakaj – anëtare dhe Besarta Morina – anëtare.
Këtë praktikë për t’u rikthyer në krye të ndërmarrjes publike pas pozitës politike e kishte bërë edhe burri i motrës së Nora Cimilit Gagica, Bardh Krasniqi.Bardh Krasniqi i LDK-së për rreth 15 muaj ka qenë kryeshef i Ndërmarrjes publike lokale “Sport Marketing”, derisa më 22.02.2024, Përparim Rama e prezantoi si drejtor të ri të Sportit, pas prishjes së koalicionit me PDK-në. Pastaj më 07.08.2024, duke iu nënshtruar procedurave të konkursit publik, u bë sërish kryeshef i ndërmarrjes “Sport Marketing”, e që vazhdon të jetë akoma.
Mirëpo, përzgjedhja e personave politik në krye të ndërmarrjeve publike bie ndesh me praktikën e instaluar nga bordi i Koroporatës Energjetike të Kosovës me rastin e eliminimit të Blerand Stavilecit [PDK] nga gara për kryeshef të kësaj kompanie për shkak të së kaluarës së tij politike.Asokohe [2018] ishte kërkuar një interpretim i Ligjit për Ndërmarrjet Publike nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministria për Zhvillim Ekonomik pati nxjerrë një interpretim nëse në krye të ndërmarrjeve lejohen të zgjidhen personat me të kaluar politike.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik përmes Zyrës së Kryeministrit kishte thënë se kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjeve publike të Kosovës duhet të jetë i pavarur, ashtu siç kërkohet edhe për anëtarët e tjerë të bordit të drejtorëve të ndërmarrjeve publike.Pra, asnjë person që në 36 muajt e fundit ka pasur poste politike në institucione apo në parti politike nuk mund të zgjidhet në krye të menaxhmentit të një ndërmarrjeje publike.
“Në përmbledhje dhe në bazë të dispozitave të legjiscalionit në fuqi për ndërrmarje publike, konsiderojmë se bordi i drejtorëve të KEK-ut, me rastin e përzgjedhejs së kryeshefit ekzkeutiv, duhet të veprojë bazuar në neni 21 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, i cili ekzluzivisht ka të bëjë më zgjedhjen dhe emërimin e zyrtarëve të NP-së i cili sqaron se personi që është ose në çfarëdo kohe, gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartësi i një posti udhëheqës ose vendimarrës në një parti politike, nuk mund të zgjidhet kryeshef ekzekutiv i ndërmarjes publike”- thuhet në interpretimin e MZHE-së të lëshuar përmes Zyrës së Kryeministrit.
Në anën tjetër, po bëhen afër tre muaj që kur Përparim Rama është betuar për mandatin e dytë me radhë si kryetar i Prishtinës pas zgjedhjeve lokale të mbajtura në vitin 2025, dhe ende nuk dihet përbërja e kabinetit të drejtorëve. Po ashtu, ende nuk ka diçka zyrtare nëse është arritur ndonjë koalicion me partitë opozitare. Nga Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë kanë aluduar vazhdimisht që Rama po ‘negocion’ me PDK-në për të formuar qeverisjen e re.
Nga asnjëra palë nuk e ka mohuar e as pohuar këtë qëndrim të LVV-së.LDK dhe PDK kishin bërë koalicion edhe në zgjedhjet e kaluara, në madatin e parë të Përparim Ramës por PDK doli nga koalicioni më 08.02.2024.Në vend të Nora Cimilit Gagica është betuar Arbnora Ajeti si asambliste e Partisë Demokratike të Kosovës.

