Asbesti po i ‘vret’ në heshtje banorët e lagjes Iliria në Gjilan

Banorët e lagjes Iliria (Kamnik) në Gjilan, po i ‘vret’ në heshtje asbesti, një material ky kancerogjen, i cili askund në botë nuk përdoret prej vitesh.

Një kompleks banesor në këtë lagje, i ndërtuar në vitet e 80-ta, edhe sot pas gati gjysmë shekulli mbetet i mbuluar me tjegulla asbesti, tashmë të dëmtuara e të shqyera në të gjitha anët.

Grimcat e këtij materiali shpërndahen në vazhdimësi në ajër, sidomos kur ka erëra më të forta.

Edhe pse banorët e këtij kompleksi prej 6 ndërtesash paguajnë tatime njësoj sikur qytetarët tjerë, ata janë anashkaluar deri tani në investime.

Të rikujtojmë se shumica e banesave tjera në këtë qytet janë rinovuar në 10-15-vjetshin e fundit.

Madje për më keq, qeverisja e Alban Hysenit i ka cunguar edhe drunjtë përreth këtyre ndërtesave, për t`ua vështirësuar edhe më tepër frymëmarrjen këtyre banorëve.

Në fund të mandatit, ai ka filluar një projekt për fasadimin e banesave, por me gjasë nuk do të shtrihet përtej soliterit ku po punohet dy muaj e më tepër dhe duke marrë parasysh dinamikën e punës, zor se do të vazhdojë më tutje.

Edhe ky mund të jetë një mashtrim zgjedhor, ndryshe nuk kishte pse të pritej fundi i mandatit për të nisur kaq shumë projekte

Çatitë prej asbesti dhe fasadat e vjetërsuara e shëmtojnë edhe më shumë këtë lagje urbane, e cila do të duhej të ishte e të dukej krejt, ndryshe, sepse nuk është më shumë se 300-400 metra nga qendra e qytetit.

Ambienti publik, ambienti ku i rrisim fëmijët tanë, ambienti ku jetojmë, nuk guxon të ketë një pamje të tillë.

Banorët e kësaj lagje, sidomos ata të banimit kolektiv, i bëjnë thirrje qeverisjes komunale që të intervenojë urgjentisht në largimin e tjegullave të asbestit, sepse ato po ‘vrasin’ në heshtje jo vetëm banorët e bllokut blu, po edhe qytetarët përreth.

Asbesti është vlerësuar materie tepër e rrezikshme në pikëpamje shëndetësore. /Mediafokus.info