Ashensori që lëshoi 6 vajza në Prishtinë, nuk kishte kontrollim teknik
Ashensori që lëshoi 6 vajza në Prishtinë, nuk kishte kontrollim teknik. Nuk është duke funksionuar që nga e shtuna. Kjo për shkak se ky ashensor u shkëput duke lënë të lënduara gjashtë vajza.
Kompania që e bën mirëmbajtjen e ashensorëve në rrugën “ Hisni Gashi”, në lagjen “Emshir”, deklaroi se nuk është e vërtetë që ashensorin e kanë lëshuar lasnet, mirëpo i njëjti nuk i ka lexuar mirë katet.
“Trupa e autorizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e kanë kryer inspektimin aty dhe ajo besoj që sot ose nesër përgatitet raporti dhe aty dihet, cili ka qenë shkaku. Mirëpo nuk është e drejtë përshtypja që u krijua që janë shkëputur lasnjet”, ka thënë Zenel Gashi, zyrtar në kompaninë e ashensorit “Hymer Elevator”.
Sipas tij, problematika kryesore qëndron në faktin qe ashensori nuk ka kontrollim teknik.
“Problemi qëndron që ashensori nuk i ka lexuar mirë numrin e kateve. Normalisht që edhe më herët ka pasur prishje si në të gjithë ashensorët, mirëpo të rastit në fjalë asnjëherë. Ashensori është mirëmbajtur çdo muaj, mirëpo ashensori nuk ka kontrollim teknik dhe kjo është problematika kryesore”, ka shtuar ai.
Por tani banorët e kësaj ndërtese po ndihen të rrezikuar ta përdorin ashensorin.
“Në kë të gjithë bllokun e ndërtesave asnjë ashensor nuk është në rregull. Një kompani që i mirëmban është e tmerrshme. Kompania nuk ka bërë kontratë me banorët, unë nuk e di si ka ardhur kjo kompani këtu. Unë kam pasur problem me këtë kompani më herët, për pagesat. Unë po ndihem edhe vetë i rrezikuar, jetoj në katin e dhjetë dhe nuk e keni idenë si luhatet dhe bën zhurma ashensori, mund edhe të lëshojë poshtë shumë lehtë. Për fëmijët është shumë gjë e keqe kjo”, ka thënë Osman Hamitaga, banor.
“Faji është jetim, mirëmbajtja jo e mirë dhe jo kujdesi i banorëve, ju e keni edhe rastin tjetër në lagjen ‘Lakrishte’, mas luftës kur një banor pati hap ‘Barberhane’, në ashensor ose kanë hipur edhe bagëti. Jo mirëmbajtja dhe jo kujdesi qëndron këtu si problem”, është shprehur Osman Sejfiu, banor.
Kurse për Halit Arifin, përpos mirëmbajtjes nga kompania edhe vetë banorët duhet të kujdesen.
“Shumë është rrezik me të ngecë ashensori, por mendoj që këtu faji qëndron te mirëmbajtja. Problem kyç është mirëmbajtja, nëse nuk e mirëmban do të kesh problem”, është shprehur Arifi per ktv.
Në anën tjetër, Shpend Fazliu nga QKUK-ja tha se gjendja e të lënduarave është stabile tanimë dhe janë lëshuar në shtëpi.
“Të lënduarat janë liruar atë ditë për në shtëpi, pasi gjendja e tyre ishte stabile dhe nuk kishin diçka serioze për t’u trajtuar në spital, më tej”, ka deklaruar Fazliu.
Policia pati njoftuar se në mbrëmjen e së shtunës ka rënë ashensori në një ndërtesë në Prishtinë nga kati i dytë për në bodrum, ku si pasojë lëndime trupore kanë marrë gjashtë gra.
Për t’i nxjerrë ato intervenuan zjarrfikësit, të cilët më pas kërkuan ndihmë mjekësore për një grua.

