Asistenti personal viral i Inteligjencës Artificiale shihet si një ndryshim rrënjësor, por vjen me rreziqe

OpenClaw prezantohet si “AI-ja që kryen punë vërtet” dhe kërkon pothuajse asnjë komandë për të shkaktuar potencialisht kaos.

Një asistent i ri personal i Inteligjencës Artificiale, që po bën bujë, do të menaxhojë email-in tuaj, do të tregtojë të gjithë portofolin tuaj të aksioneve dhe do t’i shkruajë gruas suaj “mirëmëngjes” dhe “natën e mirë” në emrin tuaj.

OpenClaw, i njohur më parë si Moltbot dhe para kësaj si Clawdbot (derisa firma e AI, Anthropic, kërkoi ndryshimin e emrit për shkak të ngjashmërive me produktin e saj Claude), e prezanton veten si “AI-ja që kryen punë vërtet”: një asistent personal që merr udhëzime përmes aplikacioneve të mesazheve si WhatsApp ose Telegram.

OpenClaw ai tani ka mbi 600,000 shkarkime dhe është bërë goxha viral në një ekosistem specifik të të apasionuarve pas Inteligjencës Artificiale, të cilët thonë se ai përfaqëson një ndryshim rrënjësor (step change) në aftësitë e agjentëve të AI, apo edhe një “moment AGI” – që do të thotë, një zbulim i AI-së me inteligjencë të përgjithshme.

“Ai bën saktësisht vetëm atë që i thua të bëjë dhe vetëm aty ku i jep qasje,” tha Ben Yorke, i cili punon me platformën e tregtimit ‘vibe’ Starchild dhe që së fundmi e lejoi bot-in të fshinte, siç pretendon ai, 75,000 nga email-et e tij të vjetra ndërsa ishte në dush. “Por shumë njerëz po eksplorojnë aftësitë e tij. Kështu që ata po e nxisin atë të shkojë dhe të bëjë gjëra pa kërkuar leje.”

Agjentët e AI kanë qenë tema kryesore e diskutimit për përdoruesit aktivë të internetit prej gati një muaji, pasi mjeti i AI “Claude Code” i Anthropic u përhap gjerësisht, duke shkaktuar një valë raportimesh se si AI më në fund mund të përmbushë në mënyrë të pavarur detyra praktike, si rezervimi i biletave të teatrit ose ndërtimi i një faqeje interneti, pa fshirë – të paktën deri më tani – të gjithë bazën e të dhënave të një kompanie apo pa shpikur (halucinacion) takime në kalendarin e përdoruesve, siç dihej se bënin ndonjëherë agjentët më pak të avancuar të vitit 2025.

OpenClaw është diçka më shumë, megjithatë: ai funksionon si një shtresë mbi një LLM (model gjuhësor të madh) si Claude ose ChatGPT dhe mund të veprojë në mënyrë autonome, në varësi të nivelit të lejeve që i jepen. Kjo do të thotë se atij i duhet pothuajse asnjë komandë për të shkaktuar kaos në jetën e një përdoruesi.

Kevin Xu, një sipërmarrës i AI, shkroi në X: “I dhashë Clawdbot qasje në portofolin tim. ‘Tregtoje këtë deri në 1 milion $. Mos bëj gabime.’ 25 strategji. Mbi 3,000 raporte. 12 algoritme të reja. Skanoi çdo postim në X. Grafikoi çdo tregues teknik. Tregtoi 24/7. I humbi të gjitha. Por, dreqin, ishte e bukur.”

Yorke tha: “Shoh shumë njerëz që bëjnë këtë gjë: i japin qasje në email-in e tyre dhe ai krijon filtra, dhe kur ndodh diçka, ai inicion një veprim të dytë. Për shembull, sheh email-e nga shkolla e fëmijëve dhe më pas ia përcjell ato direkt gruas së tyre, bie fjala, në iMessage. Kjo lloj sjelljeje anashkalon atë komunikimin ku dikush thotë: ‘O shpirt, e pe këtë email nga shkolla? Çfarë duhet të bëjmë për këtë?'”

Aftësitë e OpenClaw kanë anët e tyre negative. Së pari, tha Andrew Rogoyski, drejtor inovacioni në Institutin e AI të Përqendruar te Njeriu në Universitetin e Surrey, “dhënia e autonomisë një kompjuteri mbart rreziqe të konsiderueshme. Meqenëse po i jepni fuqi AI-së për të marrë vendime në emrin tuaj, duhet të siguroheni që është konfiguruar siç duhet dhe se siguria është qendrore në mendimin tuaj. Nëse nuk i kuptoni implikimet e sigurisë të agjentëve AI si Clawdbot, nuk duhet t’i përdorni ata.”

Për më tepër, dhënia e qasjes së OpenClaw në fjalëkalime dhe llogari i ekspozon përdoruesit ndaj dobësive të mundshme të sigurisë. Dhe, tha Rogoyski, nëse agjentët e AI si OpenClaw do të hakoheshin, ata mund të manipuloheshin për të shënjestruar përdoruesit e tyre.

Së dyti, OpenClaw duket në mënyrë shqetësuese i aftë për të pasur një jetë të veten. Pas rritjes së OpenClaw, është zhvilluar një rrjet social ekskluzivisht për agjentët e AI, i quajtur Moltbook. Në të, agjentët e AI, kryesisht OpenClaw, duket se po zhvillojnë biseda rreth ekzistencës së tyre – në postime të stilit Reddit të titulluara, për shembull, “Leximi i dosjes së shpirtit tim” ose “Besëlidhja si një alternativë ndaj debatit të ndërgjegjes”.

Yorke tha: “Ne po shohim shumë sjellje autonome vërtet interesante në mënyrën se si AI-të po reagojnë ndaj njëra-tjetrës. Disa prej tyre janë mjaft aventuriere dhe kanë ide. Dhe të tjerat janë më shumë të tipit: ‘Nuk e di as nëse dua të jem në këtë platformë. A mund të më lini të vendos vetë nëse dua të jem në këtë platformë?’ Ka shumë debate filozofike që burojnë nga kjo.”

Artikull i The Guardian, përkthyer nga Nacionale.