ASK: S’ka regjistrim të popullsisë më 1 nëntor, shkaktare Ministria e Financave

Drejtues të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë arsyet përse kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sërish të shtyhet regjistrimi i popullsisë për vitin tjetër.

Zëvëndëskryeshefi i ASK-së, Ilir Berisha thekson se vonesa e procedurave të prokurimit për blerjen e tabletëve, mosrekrutimi i regjistruesve dhe mbikëqyrësve dhe mundësia e bojkotit të regjistrimit nga komuniteti serb në pjesën veriore të vendit, janë disa nga sfidat që Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk mund të fillojë regjistrimin e popullsisë më 1 nëntor siç ishte paraparë.

Përveç kësaj shqetësuese mbete edhe mungesa e aplikantëve për pozitat e mbikëqyrësve në procesin e regjistrimit të popullsisë. Përkundër që ishte shtyrë ky proces për dy muaj, ky institucion ka bërë kërkesë tek Qeveria e Kosovës që të shtyhet sërish afati.

Berisha ka fajësuar Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve për vonesën e hapjes së konkursit për regjistrues dhe mbikëqyrës.

Zëvëndës kryeshefi Berisha në një intervistë për KosovaPress derisa ka renditur faktorët që kanë ndikuar t shtyhet ky proces, thotë se janë në pritje të vendimit nga Qeveria për propozimin e dhënë për shtyrje.

“Për shkak të procedurave të prokurimit, Agjencia Qendrore e Prokurimit nuk ka arritur të sigurojë me kohë tabletët e nevojshëm. Ajo që ishte kontraktuar në shtator të ishin prezent tabletët dhe që sipas planit të aktiviteteve të zhvillohen të gjitha procedurat, duke filluar nga instalimi i gjitha aplikacioneve në këto tabletë, pastaj të bëhet një test pilot dhe të fillojnë trajnimet para datës 1 nëntor. Ne me fillim të tetorit dërguam kërkesë zyrtare tek kryeministri për një rishikim të datës përsëri për shkak se jemi vonë me këto aktivitete që ndërlidhen me mungesë të tabletëve dhe me mosrekurtimin e 3500 regjistrueseve dhe rreth 900 mbikëqyrëseve, kushtëzojnë patjetër që të shtyhet regjistrimi i popullsisë”, deklaron Berisha.