Asllan Elezi, mjeku që shëroi mushkëritë e popullit dhe ngeli në zemrat e tyre
Rrallëkush tjetër si doktor Asllan Elezi ka lënë gjurmë në shëndetësinë kosovare. Në nderim të tij, Gjilani e ka pagëzuar shkollën e mesme të Mjekësisë “Dr Asllan Elezi”. Mbi të gjitha emri i tij ka mbetur i ngulitur thellë në mendjet dhe zemrat e qyetarëve të kësaj ane dhe më gjerë, shkruan Mediafokus.info
Fshati i tij, Livoçi i Poshtëm, është pa dyshim lokaliteti me numrin më të madh të mjekëve në Kosovë. Kjo është meritë e doktor Asllan Elezit.
Se sa e deshi dhe respektoi Anamorava doktorin Elezi, dëshmon më së miri varrimi i tij, më 25 mars 1980, ku nga qendra e qytetit e deri në Livoç, mbi 4 km gjatësi, rruga ishte e bllokuar nga qytetarët që kishin dalë për ta nderuar mjekun e tyre.
Ai kujtohet me respekt edhe sot, 45 vjet pas vdekjes, jo vetëm nga familja, ku profesioni dhe misioni i tij është trashëguar nga dr Shpend Elezi (i biri i tij), po edhe nga popullata e rajonit të Gjilanit.
Përgjatë luftës së tij të palodhshme për çrrënjosjen e tuberkulozit, që asokohe ishte mjaft i përhapur te popullata e Anamoraves, ai u përballë me një situatë tē pakëndshme, por që e sfidoi me sukses.
Sipas rrëfimit të familjarëve, një zyrtar i lartë serb i asaj kohe, diku kah fundi viteve te 60-ta të shekullit të kaluar, si kryetar i Komitetit Kranihor, kishte organizuar një mbledhje të punëtorëve të shëndetësisë në Gjilan, me qëllim që të akuzonte Dr. Asllan Elezin se po përshkruante shumë antibiotikë, ose shkurt, po jepte shumë barna të shtrenjta për popullin dhe kështu po cenonte buxhetin e shtetit.
Ishin përgatitur për të edhe masa ndëshkuese, por reagimi i doktorit ishte aq argumentues sa që e detyroi kryetarin e komisionit ta mbyllë mbledhjen dhe ta tërheq akuzën sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Me zërin karakteristik, të thekshëm, me plot stabilitet dhe me nuanca sa qortuese, aq edhe edukative, mjeku Asllan Elezi i përgjegjet zyrtarit të lartë tē shtetit, me një kundër pyetje: “𝐌ë 𝐬𝐡𝐮𝐦ë 𝐯𝐥𝐞𝐧ë 𝐣𝐞𝐭𝐚 𝐞 𝐧𝐣𝐞𝐫𝐢𝐮𝐭 𝐚𝐩𝐨 𝐢𝐥𝐚𝐪𝐢?”
I zënë ngusht përballë këtij reagimi, kryetari ndërpret mbledhjen shumë shpejt dhe tërheq akuzën ndaj mjekut.
Statistikat tregojnë që diagnostifikimet e pacientëve të shumtë nga dr Asllan Elezi kanë qenë të sakta dhe rrjedhimisht, barnat kanë qenë të domosdoshme.
Ajo që e dallonte dhe e lartësonte dr Asllanin nga mjekët tjerë edhe ashtu të paktë të asaj kohe, ishin sjellja, fjalët, afërsia dhe reflektimi i veçantë ndaj pacientëve që ndikonte jashtëzakonisht shumë në shëndetin dhe mirëqenjen e tyre të gjithmbarshme.
Nuk është çudi, që në atë kohë i ishin kushtuar edhe këngë Dr. Asllan Elezit, si hero i shëndetësisë. /Mediafokus.info

