Asnjë nga 13 fëmijët sa ishin në autobus, nuk është në listën e viktimave

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli, në një lidhje direkte për RTK-në nga Slavonski-Brod ka dhënë detaje nga aksidenti i autobusit me targa të Kosovës, që ndodhi në mëngjesin e sotëm, e ku kanë humbur jetën 10 persona.

“Për momentin ndodhem në spitalin e Slavonski Brodit, ku janë 44 persona që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, 8 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë. Disa prej tyre tashmë e kanë kryer operimin dhe gjendja e tyre është stabile”, ka thënë ambasadori Kasapolli.

Ai ka thënë se i ka vizituar të gjithë të lënduarit të shtrirë në repartet e spitalit në Slavonski-Brod, teksa ka njoftuar se janë duke e bërë identifikimin e viktimave dhe të lënduarve.

“Ne e kemi listën e të gjithë pasagjerëve dhe së bashku me autoritetet kroate jemi duke i identifikuar e secilit veç e veç”.

Ai ka thënë se fatmirësisht asnjë prej fëmijëve nuk janë në mesin e viktimave.

“Sipas informatave që kemi, kanë qenë diku 13 fëmijë në autobus dhe fatmirësisht asnjë prej tyre nuk është në listën e të vdekurve”, ka nënvizuar Kasapolli.