Astronomja kosovare shpërblehet për kërkimet shkencore në Universitetin e Kalifornisë
Astronomja shqiptare, Pranvera Hyseni, ka shënuar një arritje të veçantë në Universitetin e Kalifornisë, Santa Cruz, duke fituar çmimin vjetor për propozimin më të mirë të doktoraturës në Departamentin e Shkencave Planetare, transmeton albinfo.ch.
Ky vlerësim i lartë, i cili jepet vetëm një herë në vit për projektin kërkimor më premtues, shoqërohet me një grant prej 3,000 dollarësh dhe konsiderohet ndër nderimet më të rëndësishme akademike në fushën e astronomisë planetare.
Hulumtimet e Hysenit fokusohen te asteroidët dhe trupat e vegjël të Sistemit Diellor, veçanërisht ata që përmbajnë ujë dhe përbërje organike.
Ajo analizon proceset e transformimit të materialeve dhe kripërave që përmbajnë azot, duke kombinuar eksperimentet laboratorike me vëzhgime përmes teleskopëve, si dhe modelime teorike.
Këto studime ofrojnë të dhëna të rëndësishme për kuptimin e shpërndarjes së ujit dhe mundësive të jetës në fazat e hershme të sistemit tonë diellor.
“Ky çmim nuk është vetëm një arritje personale, por edhe një dëshmi se pasioni dhe kureshtja për shkencë nuk njohin kufij gjeografikë,” u shpreh Hyseni, duke falënderuar komisionin vlerësues dhe kolegët për mbështetjen e vazhdueshme.
Suksesi i saj përbën një tjetër faqe të ndritur për shkencën kosovare dhe një frymëzim të fuqishëm për të rinjtë që synojnë të ndjekin rrugën e tyre në fushat STEM.

