Ata që nuk kanë marrë dy doza vaksine, nuk mund të hyjnë në Kosovë nga kjo datë
Sot kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-Covid, të miratuara nga Qeveria e Kosovës, ku ndër të tjera parashihet edhe mënyra si mund të hyjnë në Kosovë personat që nuk kanë marrë dy doza vaksine.
Ministria e Shëndetësisë ka publikuar mëngjesin e sotëm masat e reja, ku janë detajuar lehtësirat dhe ndalesat që janë vendosur në mbledhjen e fundit të Qeverisë.
Në njoftimin e MSH-së bëhet e ditur se nga data 13 tetor, çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës, duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit të plotë, ose test RT-PCR negativ për COVID-19, jo më të vjetër se 72 orë, apo test të shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.
Sipas MSH-së, nuk do të jetë e mjaftueshme më marrja e vetëm një doze.
Po ashtu, në njoftim është bërë e ditur se e njëjta do të vlejë edhe për punonjësit në institucione dhe ndërmarrje publike.

