Atdhedashuria në vargjet e librit “Medvegja ime” të Lirona Zuka
Libri poetik “Medvegja ime” i poetes së re Lirona Zuka është një thirrje e fuqishme shpirtërore për të mos e harruar Medvegjën – vendlindjen e saj dhe njëkohësisht pjesë e trungut kombëtar shqiptar.
Qysh në faqet e para, lexuesi ndjen një dhimbje të heshtur, një mall të pashuar, por edhe një forcë të pathyeshme rinore që buron nga vargjet e autores.
Në këtë vepër, autorja na shpalos dy botë paralele: në njërën anë gjendjen aktuale të Medvegjës, e cila përballet me boshatisjen dhe mohim të të drejtave elementare, e në anën tjetër ndjenjën e saj emocionale, plot dhimbje e shpresë, kur sheh se Lugina e Preshevës ende mbetet e pabashkuar me trungun kombëtar.
Zuka i bën thirrje të gjithë shqiptarëve që të rikthehen në Medvegjë, duke theksuar se kjo krahinë nuk e meriton të braktiset.
Ky apel nuk është vetëm poetik, por edhe qytetar, një zë i ndërgjegjes kolektive që kërkon të mbajë gjallë kujtesën dhe qëndresën.
Nëpërmjet vargjeve të saj, poetja sjell forcë, dashuri e qëndrueshmëri, duke dëshmuar se edhe një vajzë e re mund të jetë zë i fuqishëm i një krahine të tërë.
Energjia rinore e autores dhe vizioni i saj për një të ardhme më të drejtë e të bashkuar, reflektohen qartë në çdo poezi.
Një pjesë e rëndësishme e librit i kushtohet kujtimeve personale: kujtime të brezit të saj si maturantë, mirënjohja për mësimdhënësit që u bënë dritë e diturisë në një vend ku çdo gjë është e vështirë, si dhe vizitat e saj në Shqipëri, ku gjithmonë ushqen shpresën se herën tjetër do të kthehet në troje të bashkuara.
Zuka gjithashtu përkujton me respekt të thellë veprat e lavdishme të dëshmorëve, duke i përjetësuar ata nëpërmjet vargjeve lirike.
Këto poezi nuk janë vetëm kujtim, por një urë që lidh të kaluarën me të ardhmen, duke u bërë frymëzim për gjeneratat e reja.
Energjia pozitive që ajo përçon tek lexuesi përmes poezive është një terapi shpirtërore: një mënyrë për të ushqyer mendjen e zemrën me dashuri për vendlindjen, me krenari për të kaluarën dhe me shpresë për të ardhmen.
Prandaj, “Medvegja ime” nuk është thjesht një libër me poezi. Është një manifest i dashurisë për atdheun, një apel për qëndresë dhe një dëshmi se arti mund të jetë armë e fuqishme kundër harresës. /Rrahman Hyseni
