Avokati Berisha përjashtohet nga gjykimi në rastin Tetaj
Avokati Besnik Berisha është përjashtuar nga gjykimi në rastin ku Shaban Gogaj po akuzohet për vrasjen e Agonis Tetaj.
Vendimin për përjashtimin e tij e mori gjykatësja Violeta Husaj-Rugova, pasi avokati Berisha i është drejtuar trupit gjykues me fjalët “paragjykues të çështjes penale”.
Këtë deklaratë, ai e ka bërë pasi gjykatësja Husaj-Rugova ia ndaloi atij pyetjen drejtuar dëshmitarit Agron Hasanaj, në gjykimin ndaj Gogajt, i cili është duke u mbajtur në Gjykatën e Pejës.
Fillimisht, për këtë ai është dënuar me 500 euro gjobë, për çka, avokati Berisha nuk ka ngelur i befasuar e duke u shprehur me fjalët “shyqyr që ekzistojnë shkallët e tjera”.
Pas kësaj, gjykatësja Husaj-Rugova mori aktvendim për përjashtimin e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me këtë, gjykatësja Husaj-Rugova e njoftoi të akuzuarin Gogaj që të angazhoj mbrojtës tjetër brenda afatit prej një muaji.

