Avokati i shoferit të autobusit: Mua s’më tha se e zuri gjumi
Shoferit kosovar të autobusit, i cili e shkaktoi aksidentin të dielën në Kroaci, ku vdiqën 10 persona, i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Avokati i tij, Igor Cisper tha se shoferi nuk i ka thënë atij se e kishte zënë gjumi gjatë vozitjes, raporton Index.hr.
52-vjeçari do të mbrohet juridikisht edhe nga avokati tjetër Ljubo Pavasoviq Viskoviq.
“Në asnjë moment ai nuk më tha se e zuri gjumi”, tha Igor Cisper, avokati i shoferit, duke shtuar se nuk mund tregojë se çfarë i ka thënë klienti i tij.
Por të dielën, zëvendësi i Prokurorit Komunal të Shtetit në Kroaci, Slavko Pranjiq, tha seshoferi i kishte thënë se e kishte zënë gjumi për një moment gjatë vozitjes.
“Shoferi u arrestua nën dyshimin për drejtimin e automjetetit në mënyrë të papërshtatshme. Cilat janë arsyet për këtë, nuk mund të themi tani për tani. Ai deklaroi se e zuri gjumi për një moment, por ne do ta përcaktojmë atë më vonë” kishte deklaruar Pranjiq.
Shoferi i autobusit në të cilin dhjetë veta vdiqën dhe mbi 40 u lënduan afër qytetit Slavonski Brod në Kroaci u dërgua dje në Prokurori, ku u mbrojt në heshtje. Ai do të ndiqet penalisht me ligje të Kroacisë.

